Veseli nga Prizreni, është fitues i Big Brother Albania 8
Tiranë, 14 qershor - Publiku me votat e tij zgjodhi fitues të Big Brother Albania 8 Veselin, djalin 23-vjeçar nga Prizreni, i cili njëkohësisht është edhe fitues i çmimit të madh.
Tejet i emocionuar pasi dëgjoi emrin e tij si fitues, Veseli u shpreh se njerëzit që njohu brenda në shtëpi janë çmimi më i madh për të.
Kam fituar shumë në Big Brother, shumë njerëz të mirë dhe ata janë çmimi më i madh për mua. Fitoren ia dedikoj dy mbretëreshave të mia dhe dy vëllezërve, tha ai.
Çmimi i madh për djalin nga Prizreni ishte 5 milionë lekë të reja, pasi ishte i fundit që hyri në shtëpinë e Big Brother.
Si çdo edicion edhe këtë vit ka pasur plot dinamika gjatë udhëtimit njëqind ditor të banorëve, plot debate, surpriza, pa anashkaluar dhe momentet gazmore e argëtimin e banorëve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Kjo finale, si i gjithë ky edicion, u prezantua nga Ledion Liço, i cili pas shkëlqimit në finalen e Top Fest, finalizoi nën të njëjtin ritëm dhe këtë mbrëmje të fundit të Big Brother Albania 8.
Banorët, pas daljes nga shtëpia, u pritën në studio jo vetëm nga Ledioni, por dhe nga opinonistja e këtij viti, Mira Kazhani, e cila ndau çdo mendim dhe pikëpyetje të sajën me ta.
Çdo finalisti, iu ishte përgatitur dhe nga një surprizë nga Vëllai i madh, surpriza siç vetëm ai di të bëjë.
Xhensilës, e cila gjatë këtij edicioni ka shprehur dëshirën për të kërcyer, Big Brother i kishte përgatitur një performancë nga trupa e baletit të Top Channel. Për Eleonorën, apo ashtu siç të gjithë mësuam ta quanim, Noa, iu rezervua një klasë me nxënës, duke i sjellë pak dhe nga profesioni i saj, mësuesia. Surpriza për Veselin solli brenda shtëpisë së Big Brother, jo vetëm miqtë e tij më të ngushtë nga Kosova, por e fshehur brenda një dhurate, ishte Tea, vajza për të cilën Veseli kishte shprehur simpati që në orët e para i futur në shtëpi, por dhe këtë herë puthja midis tyre mungoi. Por në post-Big Brother, Tea i premtoi publikut një puthje mes tyre.
Ndërkohë, 23-vjeçari nga Prizreni ishte edhe fitues i Lojës së Gënjeshtrave, e cila i dhuroi atij 1 milionë lekë të reja.
Ja kush ishin 6 finalistët e këtij edicioni të 8-të të Big Brother Albania:
Alba, 24-vjeçarja nga Tirana. Energjike dhe me humor, ajo e nisi lojën në çift me Diedonin, për tu dashuruar më pas me të, duke u kthyer kështu në çiftin e parë zyrtar brenda mureve të shtëpisë. Shpesh me zë të lartë e në qendër të debateve, Alba rezultoi gjithsesi luftarake në lojën e saj.
Fatjoni, 26-vjeçari që nisi një lojë të qetë e me një vel romantik, lidhja me Xhensilën, por që u shndërrua në sulmues të fortë, duke shkaktuar debate me të gjithë banorët. Ashpërsia e tij dhe thyerja e rregullave të lojës e kanë çuar disa herë në prag eliminimi.
Fabjani, 31-vjeçari që jeton në Siçili. Daja, siç e thërrasin banorët, fillimisht kishte sjellje të njëjtë me partnerin e tij, por pas shpërbërjes së lojës dyshe, zgjodhi një lojë të qetë, duke evituar debatet e duke nxjerrë në pah mirësi e humor.
Eleonora, 42-vjeçarja nga Fieri me look trasgresiv, por me këmbë në tokë. Inteligjente e me ide të qarta, ajo ka preferuar të luajë e vetme që në fillim, edhe kur ishte në çift me Marinën.
Xhensila, 26-vjeçarja nga Pogradeci, miss bukurie me sjellje fisnike e te edukuar, ka preferuar tu qëndrojë larg debateve, por ka shkaktuar një të tillë mes Fatjonit dhe Veselit, pas puthjes me këtë të fundit.
Veseli, 23-vjeçari nga Prizreni. Ai u përshtat mirë me banorët edhe pse hyri më vonë në lojë. Pasi i kishte parë nga jashtë ata, vëmendja e tij kishte rënë tek Tea, me të cilën u krijuan situata romantike, por dhe me humor, në atë që u quajt si telenovela e tyre. I dashur, i qeshur dhe tolerant, ai u ka rezistuar me edukatë sulmeve të forta.
/ Top Channel