30 Dhjetor 2024

Vazhdon shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Prizren

Prizren, 18 tetor - Zgjedhjet lokale të nëntorit 2013 më së shumti po e dëmtojnë Qendrën Historike të Prizrenit. Njerëz të papërgjegjshëm janë duke e shfrytëzuar hutinë dhe dalldisjen e zyrtarëve shtetëror (e partiak) pas votave, për të rrënuar objekte brenda zonës së mbrojtur me ligj të Prizrenit.

Brenda vetëm dy dite janë shkatërruar dy objekte me rëndësi të madhe të trashëgimisë kulturore në rrethin e parë të zonës së mbrojtur të Prizrenit.

Rasti i parë ka të bëj me djegien e tërësishme të shtëpisë së familjes Shehu në lagjen Tabakhane, në rrethana ende të pasqaruara nga organet përgjegjëse, ndërsa i dyti me rrënimin e tërësishëm të objektit të –ish-Jugobankës, përballë Urës së Gurit.

Në rastin e shtëpisë së djegur, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme dhe kjo kërkon hetim të menjëhershëm nga Prokuroria, ndërsa rasti i objektit të rrënuar është shkelje e rëndë ligjore, pasi që investitori ka qenë i pajisur vetëm me leje dhe pëlqim për restaurim dhe asesi për rrënim të objektit.

Të dyja këto raste po ndodhin në të njëjtën kohë kur Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën në mënyrë eksplicite ka konstatuar se “interesat biznesore shpesh herë mbizotërojnë kundruall interesave të trashëgimisë kulturore” dhe ka bërë thirrje për “veprime të fuqishme për të ndaluar aktivitetet ilegale dhe degraduese si dhe korrigjimin e atyre ndërtimeve që kanë tejkalime”.

EC Ma Ndryshe shpreh keqardhjen për humbjet më të fundit të vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren. Në të njëjtën kohë, ne shprehim shqetësimin tonë për mundësinë e paraqitjes së rasteve të tjera të ngjashme gjatë gjithë kohës sa do të zgjasin fushata dhe zgjedhjet lokale.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore qeveritare dhe atyre të gjyqësisë që sa më parë t’i nisin hetimet për këto dy raste. Në të njëjtën kohë, apelojmë për veprime të menjëhershme dhe konkrete për të parandaluar përsëritjen e skenarëve të tillë në pjesë të tjera të Qendrës Historike të Prizrenit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)