UNESCO do të vendosë sot për Kosovën
Paris, 21 tetor - Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s do të vendosë sot për rekomandimin që Kosova të pranohet si anëtare e kësaj organizate.
Këshilli Ekzekutiv ka 58 anëtarë, 32 prej të cilëve janë përfaqësues të vendeve që e kanë njohur Kosovën, dhe rreth njëzet prej tyre e kanë mbështetur kërkesën e Shqipërisë për pranim të Kosovës në UNESCO.
Aplikimi për pranimin e Kosovës në UNESCO është dorëzuar formalisht nga Shqipëria dhe është mbështetur nga 45 vende.
Pas votimit të sotshëm nëse Kosova arrin të marrë shumicën e votave, atëherë, pranimi do të duhej të ndodhte në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, e cila do ti zhvillojë punimet nga data 3 deri më 18 nëntor.
Konferenca e Përgjithshme përbëhet nga përfaqësues të 195 vendeve anëtare. Çdo vend anëtar ka një votë dhe vendimi kërkon një shumicë prej dy të tretash.