U hap ekspozita me piktura portretesh të Nënës Terezë
Prishtinë, 25 gusht - Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është hapur ekspozita e piktorit Xhovalin Paci, me piktura portretesh të kësaj humanisteje të madhe shqiptare.
Duke e hapur ekspozitën, në emër të kryetarit të Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, anëtari i Kryesisë, Ibrahim Gashi, tha se kjo ekspozitë shpreh një formë të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkaq, iu bëri thirrje të gjithë të interesuarve, përfshirë edhe qytetarët, që ta vizitojnë atë gjatë ditës së sotme.
Autori i ekspozitës, Xhovalin Paci, theksoi se ideja për organizimin e saj daton që nga viti 2006, e mbartur nëpër kohë që nga vizita e Nënë Terezes në Shkodër në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.
Sipas Pacit, kjo ekspozitë, e punuar në teknikën e akrilikut, përbëhet nga disa cikle, të cilat e pasqyrojnë Nënën Terezë në jetën e saj fëmijërore, në momentet përpara lidhjes së saj shpirtërore me humanizmin, si humaniste dhe pas vdekjes.
Piktori Paci theksoi se ekziston ideja që e njëjta ekspozitë të hapet edhe nëpër qendra të tjera të rëndësishme rajonale e evropiane.
Përfaqësuesi i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Pjerin Kiri, ndërkaq, duke falënderuar stafin e Kuvendit të Kosovës për mbështetje, shfaqi besimin se kjo ekspozitë, edhe në Kuvendin e Kosovës do ta ketë suksesin që e ka arritur në Kuvendin e Shqipërisë.
Ekspozita do të jetë e hapur deri në orën 16:00 të ditës së sotme.