Turqia e Kosova do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës
Prishtinë, 24 dhjetor - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është takuar sot me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan, me të cilën biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Zëvendëskryeministri Shala ka vlerësuar kontributin e shtetit të Turqisë që e ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat, me theks në lobimin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se bashkëpunimi i vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Zëvendëskryeministri shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe mes MKRS-së dhe ambasadës, por edhe me partnerë tjerë që japin një kontribut të çmuar në këtë drejtim.
Ndërkaq ambasadorja turke Ozan, e uroi zëvendëskryeministrin Shala për detyrën e re dhe e premtoi se bashkëpunimi dhe përkrahja mes dy vendeve tona por edhe ndaj MKRS-së do të vazhdojë. Mysafirët e informuan zëvendëskryeministrin për projektet që janë realizuar deri më tani, sidomos në trashëgiminë kulturore, por edhe në fushat tjera që mbulon MKRS-ja.
Ajo theksoi se Turqia e Kosova do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës edhe në të ardhmen dhe rikonfirmoi se mbështetja e Ambasadës në projekte të ndryshme do të vazhdojë dhe bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej.