Tuna, Me 4 prill martohet me djalin e një ambasadori
Shkup, 12 mars - Rilindi këto ditë është në stres për shkak të dasmës, është shumë i zënë dhe nuk duhet ta shqetësojmë. Ka qenë ky një koment dhënë mediave maqedonase nga Ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka (i ati i Rilindit), i cili konfirmon se nusja dhe djali tashmë gjenden në Maqedoni duke organizuar dasmën.
Djali im dhe nusja gjenden në Maqedoni dhe organizojnë dasmën. Nuk dëshiroj të komentoj më shumë rreth kësaj çështje pasi është punë e tyre. Nuk mund të jap detaje dhe datë të saktë për martesën dhe vendin, por mendoj që do të jetë në hotel Aleksandar Palace.
Ndërkohë çifti në një fshehtësi të madhe përkujdeset për organizimin e dasmës, Panorama plus fiton të drejtat e publikimit të të rejave rreth martesës së këngëtares, duke zbuluar ekskluzivisht për lexuesit disa detaje interesante përsa i përket ceremonisë.
Pse vendosi të martohet pas një viti
Vitin e fundit Tuna ishte larguar pak nga jeta publike duke u përkushtuar më shumë rreth studimeve dhe filloi të jetojë në Prishtinë-Shkup-Selanik. Përveç obligimeve, me Prishtinën e lidhte edhe i dashuri Rilindi, i cili është pronar i një diskoteke atje.
Nuk dëshiroj të zbuloj detaje rreth jetës sime private sepse deri më tani kam pasur një përvojë të hidhur me mediat, gjithmonë kur kam qenë e hapur me to, janë paraqitur dhe shumë versione të ndryshme të prononcimeve të mia. Tash në rastin me Rilindin vendosa që të hesht. Mendoj se për shkak të kësaj heshtje, lidhja jonë vazhdoi më gjatë, tashmë një vit.
Kështu ka theksuar këngëtarja më herët në një prononcim. Duke bërë pjesë në mesin e këngëtarëve më të përfolur të estradës, ajo gjithmonë ka qenë pjesë e shtypit rozë për thashetheme të ndryshme. Lidhja me Rilindin e ka mbajtur akoma më të pranishme në media këngëtaren, por duke mos u prononcuar zyrtarisht asnjëherë, mediave u ka dhënë hapësirë për manipulim.
Ditëve të kaluara flitej për një shtatzëni të mundëshme të Tunës, por ajo hodhi poshtë thashethemet duke mohuar një gjë të tillë. Këtu lindën dhe dyshimet e para për një hap aq të shpejtuar për martesë. Çifti nuk është fejuar, por vetëm kanë pasur një lidhje dashurie e cila si duket do të përfundojë me martesë.
Por, burimet tona tregojnë se për shkak të baticave dhe zbaticave gjatë kësaj lidhjeje, kanë detyruar këngëtaren të marrë një hap kaq të rëndësishëm në jetë. Për shkak të dyshimeve në lidhje me thashethemet e lartëpërmendura, na duhet të presim disa muaj derisa Tuna dhe Rilindi të stabilizojnë martesën dhe të shohim nëse ka qenë e vërtetë shtatzënia e papritur, apo thjesht hap i shpejtuar për martesë?
Grimi nga Prishtina, velloja nga Milano
Sellma Kasumoviq, grimerja më e njohur për momentin në Kosovë, është përzgjedhur të bëjë grimin e këngëtares në ditën e martesës. Duke qenë një bashkëpunëtore e besuar e Tunës vite me radhë, ajo këtë detyrë ia ka besuar Sellmës. Bashkëpunimi me të ka qenë shumë i frytshëm nëpër klipe dhe evenimente të ndryshme, pasi dihet që këngëtarja deri më tani është paraqitur me një stil shumë të veçantë. përsa i përket vellos së nusërisë ,Tuna ka vendosur që të blejë fustanin në Itali.
Një model interesant dhe shumë i shtrenjtë, i porositur nga Milano do të shndrisë në trupin e këngëtares më 4 prill, ditën kur asaj i ndryshon statusi i gjendjes civile duke i dhënë fund beqarisë. Këtë vendim për blerjen e fustanit në Milano, këngëtarja e ka marrë me të vetmin qëllim duke mos dashur të prishë marrëdhëniet me kreatorët shqiptarë. Me të gjithë kreatorët Tuna është në marrëdhënie të mira duke filluar nga Joni Peci, Valdrin Sahiti e shumë të tjerë, pasi të gjithë i ka miq, kështu që nuk ka mundur të vendosë se te cili të bëjë porosinë për fustanin dhe si zgjidhje përfundimtare ka qenë porositja e vellos në Milano.
Si befasi për fansat e saj, këngëtarja ka vendosur që disa ditë para martesës të bëjë dhe një set me fotografi, e veshur me vellon e bardhë. Tuna njihet si këngëtare e surprizave, këtë gjë e bën për fansat me të vetmin qëllim pasi ceremonia e martesës do të jetë kryesisht pa prani të mediave dhe fotot e realizuara do të shuajnë kureshtjen e fansave sa i përket ditës së martesës se si do të duket këngëtarja me fustanin e bardhë. Disa prej fotove do të jenë të publikuara ekskluzivisht edhe në Panorama plus.
Ftesat me këngë të Nexhmije Pagarushës
Ceremonia do të jetë shumë madhështore duke parashikuar ardhjen e një numri të madh mysafirësh, shumica prej tyre Vip-a të rangut të lartë. Dasma do të organizohet në një nga hotelet më luksoze dhe më të shtrenjtë në Maqedoni, në Aleksandar Palace.
Pasi që i ati i Rilindit është një profesor në Universitetin e Europës Jug-Lindore të Tetovës dhe njëherit ambasador i Maqedonisë, sigurisht që ndër të ftuarit do të jenë elita e politikanëve shqiptarë dhe atyre maqedonas, duke mos përjashtuar edhe diplomatët e huaj dhe vendor.
Në anën tjetër, Tuna një këngëtare me shumë miq në estradën shqiptare dhe maqedonase, një numër i madh prej tyre të jenë të pranishëm në atë mbrëmje. Akoma nuk është mësuar se kush do të argëtojë të pranishmit, por duke ditur që ndër mysafirët do të jenë shumë këngëtarë, me siguri secili do të jep kontributin e vet aq sa u takon.
Sa u përket ftesave për mysafirët, këngëtarja ka menduar që të bëjë një befasi të këndshme për ata. Duke shmangur ftesat e thjeshta nëpërmjet sms porosive apo të shkruara, Tuna ka përpunuar këngën Martesa jonë të Nexhmije Paragushës, duke vendosur në cd dhe në cover foton e çiftit. Kështu që miqtë e pranishëm në adresë të tyre do të marrin këtë cd në formë të ftesës për dasëm.
Çifti vendos të jetojë në Prishtinë
Deri më tani Rilindi dhe Tuna kanë bashkëjetuar në një apartament në Prishtinë deri kur është marrë dhe vendimi për martesë. Për shkak të aktiviteteve dhe punës së tyre, kanë zgjedhur Prishtinën si vendbanimin. Një apartament luksoz i rregulluar sipas shijes dhe dëshirës së çiftit në një lagje të Prishtinës, do të jetë çerdhja e tyre në të ardhmen.
Ndërkohë që kishte paralajmëruar të hedhë në treg albumin e ri dhe të organizojë festë me rastin e 10 vjetorit të karrierës, ceremonia martesore ishte me rëndësi për këngëtaren, duke shtyrë planet sa i përket muzikës. Pasi të mbarojë ceremonia dhe të fillojë jeta normale në çift, këngëtarja pritet të mbarojë regjistrimin e këngëve dhe klipeve dhe pastaj të publikojë albumin dhe shumë surpriza të reja sa i përket muzikës.
/panarama plus/