Tri gra kosovare në garë për çmimin Oscar
Filmi debutues i metrazhit të gjatë i Blerta Zeqirit MARTESA fitoi çmimin FIPRESCI dhe çmimin special të jurisë në festivalin Tallin Black Nights në vitin 2017. Në vitin 2012, po e njëjta e fitoi çmimin e jurisë për filmin e shkurtër KTHIMI në festivalin e filmit Sundance.
Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu luajnë protagonistët në rrëfimin e një burri që e mban një fshehtësi nga gruaja e tij – është i dashuruar në shokun e tij të ngushtë.
Në një intervistë për Hollywood Reporter, duke folur për motivimin e saj për ta shkruar këtë histori, Zeqiri tha: “nuk ka kuptim të ndalohet dashuria”. MARTESA është propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar – kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj.
Filmi i shkurtër i Lendita Zeqirajt GARDHI u kualifikua duke ngadhënjyer si filmi më i mirë i shkurtër në festivalin ndërkombëtar të filmit në Hamptons dhe si filmi më i mirë nën 15 minuta në festivalin e filmit të shkurtër në Palm Springs.
Ky film e përcjell një fëmijë të vogël, të cilin e luan Art Lokaj, duke u ballafaquar me veset e familjes së tij të përçudnuar, derisa miku i tij rom e prejt jashtë. Filmi prek mbi temën e përjashtimit, shovinizmit dhe racizmit në shoqërinë kosovare.
AJO nga More Raça është përzgjedhur si njëri ndër finalistët e Manhattan Short Film Festival. Filmi është shfaqur në mbi 350 qytete nëpër 6 kontinente dhe ka fituar të drejtën të garojë për Oscar.
AJO flet për temën e dhunës në familje dhe e përcjell trimërinë e një vajze të vogël, të luajtur nga Diella Valla, e cila e bën të pamundurën për ta shpëtuar vetveten dhe nënën e saj, të cilën e luan Aurita Agushi.
“Këto tri kualifikime vetëm sa vazhdojnë ta pasqyrojnë trendin e zhvillimit të industrisë kosovare të filmit, derisa po prodhojmë gjithnjë më shumë filma dhe i ndajmë ata me botën. Kemi shpresa të mëdha për atë se çfarë do të sjellë e ardhmja për talentët tanë” tha Arben Zharku, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës.