03 Janar 2025

Tri femra ia mësyjnë BK-së

Prishtinë, 13 janar -  Donika Dabishevci, Ramize Bajraktari dhe Olivera Miloseviç janë të vetmet kandidate që kanë konkurruar në konkursin e Ministrisë së Kulturës të shpallur për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më datë 27.12.2013 ka hapur konkursin për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në të cilin konkurs, i cili është mbyllur dje (e premte), sipas disa burimeve të gazetës “Epoka e re” brenda Ministrisë së Kulturës, janë paraqitur tri kandidate: Donika Dabishevci, Ramize Bajraktari dhe Olivera Miloseviç. Dy të parat dokumentet i kanë paraqitur në recepcionin e Ministrisë së Kulturës, kurse kandidatja e tretë, e cila është nga Mitrovica e veriut, ato i ka përcjellë nëpërmjet internetit, ka thënë ky burim i gazetës.

Në konkursin që ka shpallur Ministria e Kulturës për këtë pozitë, pos kualifikimeve e njohurive të tjera, kandidatët është kërkuar të kenë: diplomë universiteti; gradat shkencore Master apo Doktor kanë përparësi; shtatë vjet përvojë pune relevante; njohja e gjuhëve zyrtare të Kosovës, e domosdoshme; njohja e gjuhës angleze, e domosdoshme.
Ndërkaq, ndër detyrat kryesore udhëheqësja e ardhshme e BK-së do të ketë: Të udhëheqë, organizojë dhe mbikëqyrë veprimtarinë dhe funksionimin e bibliotekës; t’ia propozojë Këshillit Drejtues planin vjetor dhe planin financiar; për punën e vet t’i raportojë dhe t’i përgjigjet Këshillit Drejtues; të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues pa të drejtë vote; ta përfaqësojë Bibliotekën brenda dhe jashtë vendit; të ushtrojë detyra dhe autorizime të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi.

E ndër shkathtësitë, aftësitë e njohuritë që duhet t’i ketë udhëheqësi rreth bibliotekës janë: aftësi të dëshmuara organizative dhe menaxhuese për arritjen e rezultateve në punë; shkathtësi të mira hulumtuese për hartimin e raporteve dhe të komunikimit me shkrim dhe me gojë; aftësi për të krijuar raporte pune ndërpersonale të shkëlqyeshme;
vetiniciativë, i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe ta shfrytëzojë iniciativën e tij; të ketë shkathtësi të shkëlqyeshme të vetorganizimit; të jetë në gjendje të krijojë përparësi në mënyrë efektive duke punuar në një ambient nën presion; aftësi të shkëlqyeshme komunikuese dhe gatishmëri për të punuar me të gjithë që jetojnë në Kosovë; aftësi për përmbushjen e punëve të vështira, punëve të afatizuara dhe punëve grupore etj.

Deri në fund të vitit të kaluar Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës për njëmbëdhjetë vjet e ka udhëhequr profesor Sali Bashota, i cili ka respektuar vendimin e Rektoratit për ruajtjen e një pozite. Ai ka vendosur ta mbajë pozitën e profesorit në Fakultetin e Filologjisë.

E pas largimit të tij, ushtruese e detyrës së drejtorit është bërë Ramize Bajraktari, e cila është një prej tri kandidatëve për drejtoreshë të Bibliotekës Kombëtare. Kohëzgjatja e mandatit të drejtoreshës është katër vjet.

Këshilli Drejtues i kësaj biblioteke, në përbërje të Sali Bashotës, kryetar, Ibrahim Kadriut, Dashamir Bërxullit, Sadete Tërnavës, Xhevat Bajramit, anëtarë, në javën e ardhshme priten të mblidhen dhe t’ia propozojnë ministrit të Kulturës, Memli Krasniqit, kandidatet që i kanë plotësuar kushtet e konkursit. Sipas burimit të gazetës “Epoka e re” brenda Ministrisë së Kulturës, ministri pret që Këshilli Drejtues prej tri këtyre kandidatëve, t’ia propozojë dy prej tyre.

“Besoj se Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare mbledhjen do ta mbajë javën e ardhshme, e se kur do të bëhet publik emri i drejtorit të ardhshëm nuk e di, vetëm e di se prej tri kandidatëve që kanë aplikuar, ministrit duhet t’i propozohen dy emra. Natyrisht, ato kandidate që i kanë plotësuar kriteret e konkursit dhe kanë cv më të mirë se tjetra. Megjithatë, është e mundshme që konkursi të shtyhet edhe për ndonjë ditë, pasi nuk ka konkurruar asnjë mashkull, ani pse ka konkurruar një femër nga minoritetet”, është shprehur burimi i gazetës “Epoka e re”.

Donika Dabishevci-Jetullahu

Donika Dabishevci-Jetullahu, e lindur më 19.05.1980, është doktore e shkencave në studime letrare, ku në vitin 2013 ka marrë këtë titull në Shkollën Doktorale pranë Departamentit të Letërsisë-Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë; Universiteti i Tiranës. Dabishevci aktualisht është redaktore e lajmeve në uebsajtin e RTK-së, ka dy libra të botuar, kurse ka në proces të botimit disertacionin e doktoraturës, i cili pritet t’i dalë nga shtypi në fund të këtij muaji.

Gjithashtu, në Kolegjin UBT ajo ligjëron lëndën Gjuha profesionale. Prej vitit 1996 ka filluar të punojë në mediet e shkruara, në revistën “Kosovarja”, në revistën “Pasqyra”, në gazetën “Kosova sot”, në gazetën “Ballkan”. Ajo ka marrë pjesë në dhjetëra seminare shkencore nga fusha e albanologjisë, të cilët janë organizuar në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Në Festivalin ‘Ditët e Naimit’ 2012 është shpërblyer me Çmimin ‘Oeneumi’, kurse një tufë e poezive të saj janë përkthyer në gjuhën gjermane në revistën letrare të Austrisë, “Lichtungen” Jg/2011. Është folëse e shkëlqyeshme e gjuhës angleze dhe serbo-kroate. Jeton dhe punon në Prishtinë.

Ramize Bajraktari

Ramize Bajraktari, 61-vjeçare, pas largimit të drejtorit Sali Bashota vitin e kaluar nga biblioteka, është zgjedhur ushtruese e detyrës së drejtorit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Ajo deri me rastin e ushtrueses së detyrës së drejtorit ka qenë udhëheqëse e Departamentit të Arsimimit Bibliotekar në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Bajraktari ka mbaruar studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, kurse studimet master i ka mbaruar për udhëheqje në Fakultetin e Edukimit. Ka qenë drejtoreshë në Shkollën Fillore “Faik Konica” nga vitet 2002-2009. Jeton dhe punon në Prishtinë.

Olivera Milosevic

Olivera Milosevic, e lindur më 21.02.1969, është nga Mitrovica e veriut. Nga viti 2004-2012 ka qenë drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit të Grave Biznesmene në Mitrovicën e veriut. Ndërkaq, në vitin 2011 ka qenë këshilltare në projekte të Organizatës CHF International. Ajo ka mbaruar studimet në Departamentin e Metalurgjisë. Jeton dhe punon në Mitrovicë.
(“Epoka e re”)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)