Tri Dritare dhe Një Varje shpërblehet në dy festivale të ndryshme
Prishtinë, 10 nëntor - Filmi i parë i propozuar për Oscar nga Kosova, Tri Dritare dhe Një Varje shpërblehet në Cottbus të Gjermanisë dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Thessaloniki të Greqisë.
Në Festivalin e Kinemasë të Europës lindore Festivali i Filmit Cottbus, filmi i regjisorit Isa Qosja, me skenar nga Zymber Kelmendi merr çmimin Dialog Prize si dhe Special Mention nga juria ndërkombëtare e filmit në Cottbus.
Për çmimin Dialog Prize në komunikatën e festivalit shkruan: Çmimi për dialog të komunikimit ndërkulturor shkon te një film i cili me një gjuhë kinematike shumë të matur shpreh limitet e një njeriu që përballet me fuqinë e një kulture mbizotëruese. Duke marr një qëndrim dhe duke vënë në pikëpytje shoqërinë ky film thekson rëndësinë e guximit.
Ky film fitoi edhe çmimin e audiencës në Festivalin e 55-të Thessaloniki International Film Festival në të cilën ishte pjesë e programit Balkan Survey po të njejtën natë me 8 Dhjetor 2014.
Filmi Tri Dritare dhe Një Varje është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike CMB me producent Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala.
Projekti filmik Tri Dritare dhe Një Varje është prezantuar në vitin 2012 në tregun e koproduksionit Connecting Cottbus (coco) ku ka fituar çmimin Best Pitch Award.