Trashëgimia kulturore - prioritet nacional i Qeverisë
Shala u njoftua për së afrimi më gërmimet arkeologjike që po bëhen në këto lokalitete me rëndësi të veçantë për trashëgiminë arkeologjike dhe arkitekturore të Kosovës.
Ministri Shala i vlerësoi gërmimet që janë bërë në këto dy lokalitete gjatë vitit 2015 dhe përgëzoi arkeologët për punën që kanë bërë gjatë këtij viti.
Shala u shpreh se gërmimet e bëra në Dërsnik dhe Vrellë kanë mundësuar rezultate të jashtëzakonshme në gjetje të veçanta dhe unikate. Janë zbuluar komplekse sakrale, mozaikë, stela, sarkofagë, stoli, monedha dhe artefakte tjera të periudhës antike dhe përbëjnë një dëshmi se kemi të bëjmë me vendbanime të hershme dhe të rëndësishme.
Këto lokalitete kanë një domethënie për identitetin kulturor e shpirtëror të Kosovës, dhe MKRS-ja ka për synim ti mbrojë si pjesë e trashëgimisë së pasur kulturore si një vlerë shtesë të shtetit të Kosovës.
Përmes këtyre gërmimeve dhe gjetjeve të shumta që po bëhen në këto lokalitete dhe anë e kënd Kosovës, janë dëshmi e fuqishme se Kosova ka një trashëgimi të pasur të periudhave të ndryshme historike, dhe si të tilla, përbëjnë vlerë të posaçme për kulturën e Kosovës dhe janë me interes për vendin dhe është obligim i yni ti ruajmë e ti promovojmë, tha ministri.
Shala u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të ndihmojë dhe të mbështesë trashëgiminë kulturore të Kosovës e cila është edhe një prioritet nacional i Qeverisë së Kosovës.
Mbështetja institucionale do të rritet në të ardhmen edhe më tej, në gërmime të reja, në konservimin dhe restaurimin e tyre dhe promovimin e njohjen sa më të gjerë për vizitorë duke e shtuar kësisoj numrin e atraksioneve turistike të vendit.
MKRS-ja gjatë këtij viti ka ndihmuar me 72 mijë euro për punën në këto lokalitete, ndërsa të parapara për vitin e ardhshëm janë 100 mijë euro.
Gjithashtu, ministri Shala inspektoi punimet në Muzeun memorial Ibrahim Rugova në Istog, vepër në të cilën MKRS-ja gjatë vitit 2016 do të investojë 400 mijë euro, duke e vlerësuar si një qendër të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës, si një përkujtim i jetës dhe veprës së presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.