Transformimi i realitetit në ëndërr
Prishtinë, 14 tetor - Artisti Leutrim Fishekqiu, prezantoi në Norvegji projektin e tij artistik Transformation Of Reality To Dream Migration (Transformimi i realitetit në ëndërr Migrimi).
Një dorë e zgjatur për ndihmë nga thellësia e detit, në një objekt brenda të cilit ushtojnë valët e detit, është projekti me të cilin artisti nga Kosova u prezantua të hënën në Papirbredden Dramen.
Ky projekt, që synon sensibilizimin e publikut mbi migrimin, u mirëprit nga publiku, mes të cilëve pati edhe shqiptarë nga Kosova, që ishin larguar për në Norvegji gjatë luftës.
Pas ekspozimit në këtë hapësirë provokuese, kjo vepër do të dhurohet për bamirësi.
Në kuadër të festivalit të kulturës Evropa e zgjeruar (Det utvidede Europa), Fishekqiu mori pjesë në artist talk, ku në praninë e artistëve ndërkombëtarë foli për projektet e tij artistike.
Ky prezantim i Fishekqiut vjen pas disa projekteve të artit në Kosovë, duke përfshirë Autostrada Biennale (Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor), Festivali Ndërkombëtar i Skulpturës Sculp Fest, i fokusuar në tërheqjen e vëmendjes politike dhe përcjelljen e mesazhit për paqe dhe SculpEdu, një program arsimor për artin.
Muajin e kaluar, Fishekqiu prezantoi në Prizren veprën Po tshoh, një skulpturë provokuese e cila përmes metaforës me kamera synon vetëdijesimin lidhur me veprimet dhe sjelljet në publik.
Leutrim Fishekqiu (1987, Prizren) është autor i disa veprave artistike në hapësira publike në Prizren. Është themelues i SculpFest - Festivali Ndërkombëtar i Skulpturës dhe Autostrada Biennale -Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor.