08 Janar 2025

Torino Film Lab në PriFest 2016!

Prishtinë, 14 mars - PriFest ka lidhur marrëveshje dhe këtë vit do të sjellë në Kosovë një nga sipërmarrjet ndërkombëtare të industrisë së filmit që mbështet talentet e reja nga e gjithë bota, laboratorin e njohur ndërkombëtar Torino Film Lab.

Përpos emrave të shquar, PriFest do sjellë një mundësi të rrallë për të gjithë filmbërësit, mundësi e cila vjen falë platformës regjionale të industrisë së filmit - PriFORUM [tashmë një traditë në kuadër të këtij festivali].
 
Përgjatë 5 ditëve, nga 22-27 prill, profesionistët e filmit nga rajoni [ Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi, Bosnje dhe Kroaci] të cilët janë pjesë e Best Pitch Competition, tashmë një traditë prej 4 vitesh në PriForumin e PriFest, do kenë mundësi të fitojnë eksperiencë jo vetëm  për mënyrën e prezentimit të projektit (Pitching) por edhe lidhur me informimin mbi Audiencën dhe zotimin e Strategjive të marketingut të filmit për projektet e ndryshme kinematografike që në fazën e hershme të zhvillimit të tyre. Gjithashtu, ata më me “fat” do të përzgjidhen për Script Development Workshop.

Gjatë garës Best Pitch, të gjithë kineastët profesionistë, të përzgjedhur paraprakisht për të marrë pjesë në këtë garë me projektet e tyre, të cilët do garojnë për çmimin \"Vanessa Redgrave\" do kenë mundësinë të marrin pjesë edhe në një trajnim dy-ditor lidhur me prezentimin e projektit filmik – Pitching training, i cili këtë vit do të realizohet nga Torino Film Lab. Përvec këtij trajnimi Torino Film Lab poashtu do të mbajë një trajnim tjetër për një numër më të vogël projektesh lidhur me Marketingun dhe Audiencën për filmin, ku producentët dhe regjisorët e përzgjedhur do të kenë mundësi të mësojnë më shumë se si t’a bëjnë filmin e tyre më atraktiv për një audiencë dhe treg ndërkombëtar.
Kjo është thelbësore në mënyrën se si më pas filmi do gjejë publikun e tij, se si do komunikojë me të dhe se si do arrijë të prekë jo vetëm audiencën e gjerë, por edhe atë të profesionistëve të kinemasë, siç janë festivalet më ambicioze të filmit në botë.

Këto trajnime do të zhvillohen nga ekspertët e njohur të Torino Film Lab: Matthieu Darras dhe Joanna Solecka.

Një aktivitet tjetër risi në kuadër të Best Pitch Competition është edhe Script Development Workshop që PriFORUM e sjell përmes ekspertëve të kësaj lëmie: Franz Rodenkirchen dhe Françoise von Roy nga kompania Script Circle Berlin.
Në këtë aktivitet dy-ditor gjatë festivalit mundësi pjesëmarrje do të kenë katër projekte të filmit që ndodhen në fazën e zhvillimit dhe do të aplikojnë për të marrë pjesë në Best Pitch.

Kush është Torino Film Lab?

TorinoFilmLab është një sipërmarrje ndërkombëtare që mbështet talentet e reja nga e gjithë bota - duke i kushtuar vëmendje të veçantë atyre që janë në process pune për filmin e tyre të parë ose të dytë me metrazh të gjatë- përmes trajnimeve, zhvillimeve, investimeve dhe aktiviteteve të shpërndarjes [distribuimit].

I lidhur ngushtë me Torino Film Festival, T.F.L. është promovuar tashmë prej institucioneve kryesore të filmit në qytetet e Torinos dhe Piemontes, si Muzeu Kombëtar i Kinemasë dhe Komisioni i Filmit Torino Piemonte.

Torino Film Lab është prezent që prej vitit 2008, dhe ofron workshop-et më të mira në fushën e pitching, audiencës, marketingut dhe distribuimit (shpërndarjes).

Zgjatet afati i aplikimit në Best Pitch

Ky shans që vjen në Kosovë falë bashkëpunimit të ri të Prishtina International Film Festival me Torino Film Lab dhe Script Circle Berlin, është gratis dhe nuk duhet humbur, ndaj shpejtoni të aplikoni me projektet tuaja filmike për Best Pitch Competition pasi konkursi mbyllet javës që vjen, me datë 20 Mars. Për të aplikuar klikoni këtu.

 Risi gjithashtu në këtë edicion të PriFest, dhe një nga gjërat më të rëndësishme për profesionistët e filmit nga Kosova e regjioni do të jetë dhe \"Prishtina Rendezvous\", aktiviteti për të cilin do mësohet më shumë në ditët në vazhdim.

 Cilët janë ekspertët?

 Matthieu Darras është Drejtori Artistik i Torino Film Lab, i cili gjithashtu bashkëpunon me nisma të ndryshme kushtuar talenteve të filmit, siç janë Venice Biennale College Jerusalem Film Lab ose When East Meets West’s First Cut Lab. Ai ka themeluar dhe drejtuar European Network of Young Cinema NISI MASA dhe ka shkruar për revistën kinematografike Positif. Si programer festivali, ai shquhet për punën në Cannes’ Semaine de la Critique, dhe gjithashtu ka qenë drejtori artistik i festivalit te filmit në Alba dhe në Bratislavë. Ai është reprezentues i San Sebastian Film Festival për Europën Lindore.

Franz Rodenkirchen është një konsulent dhe profesor skenari i vendosur në Berlin, por që numëron bashkëpunime me të gjithë botën. Së bashku me Françoise von Roy ai drejton Script Circle, një workshop periodik mbi zhvillimin e skenarit në Berlin. Ai bashkëpunon me Torino Film Lab’s Script&Pitch & Frame Work, The Script Station of Berlinale Talents; Berlin Film Academy, CineLink Sarajevo dhe CPH:LAB.
Ai gjithashtu realizon një workshop ku konsulton mbi krijimin e skenarit profesionistët e filmit dhe vazhdimisht ka shfaq interes në gjetjen e mënyrave të reja të tregimit vizual. Franz Rodenkirchen ka qenë artist resident pranë Dutch Film Academy në Amsterdam nga maji deri në shtator të vitit 2013. Në vitin 2014 ai ishte bashkë-kuratori i ekspozitës „Real emotions – thinking in film“ për KW Institute for Contemporary Art në Berlin. Në më shumë se 17 vite, ai ka qenë konsulent për shumë projekte të pavarura filmike në gjithë botën.

Joana Solecka është stratege e komunikimit dhe marketingut me një eksperiencë pune të veçantë me shumë producentë të filmit dhe institucione kulturore. Gjatë 10 viteve të fundit ajo ka zhvilluar strategjinë e promovimit për filma të shkurtër, ata me metrazh të gjatë dhe të dokumentarëve; përfshirë këtu të gjitha stadet duke nisur me përzgjedhjen, premierat ndërkombëtare dhe deri në shfaqjen në ekranet e festivaleve më të rëndësishme të filmit. Ajo ka udhëhequr dy fushata për çmimet Oscar: “Rabbit a la Berlin” (Dokumentar i metrazhit të shkurtër i nominuar për çmimin Oscar në vitin 2009) dhe “Joanna” (Dokumentar i metrazhit të shkurtër, i nominuar për një çmim Oscar në vitin 2015).
Aktualisht, ajo ka marrë përsipër marketingun ndërkombëtar dhe festivalet për Alphapanda, një zyrë konsultimi për marketing filmik e vendosur në Londër/Berlin/Varshavë dhe e themeluar nga Mathias Noschis.

 Françoise von Roy jeton në Berlin, por gjithashtu punon si konsulente skenari për projekte të ndryshme nga e gjithë bota. Ajo ka nisur të punojë në industrinë e filmit dhe televizionit nga fundi i viteve 1990, në pozicione dhe fusha të ndryshme të prodhimit dhe zhvillimit. Ajo ka qenë Drejtoreshë Artistike e Cinema Total nga viti 2010 deri në vitin 2014, një event vjetor i cili mbahet gjatë Berlin Film Festival, ku prezantohen filma dhe filmbërës nga Europa Qëndrore dhe Lindore për të promovuar bashkëpunimin brenda rajonit. Që nga viti 2012 Françoise ka punuar si konsulente skenari e pavarur. Përpos konsultimit, ajo shkruan dhe ndihmon në shkrimin e skenareve. Bashkë me Franz Rodenkirchen ajo mban workshop-in e Script Circle për skenaristë dhe kineastë, dhe gjithashtu workshop-in 6 Days of Practice për producentët dhe anëtarët e tjerë të përfshirë në zhvillimin e një skenari.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)