Themelohet muzeu i trashëgimisë hebraike në Kosovë
Prishtinë, 23 maj - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka njoftuar se sot ka marrë vendim që të themelojë në kuadër të Muzeut të Kosovës, Muzeun e Trashëgimisë Hebraike në Kosovë. Këtë vendim ministri e bëri publik në fjalën e tij në kuadër të Javës së Tolerancës, aktivitetet e së cilës filluan sot.
Në ceremoninë e zhvilluar në Muzeun Etnologjik, kanë marrë pjesë edhe Jason Steinbaum, shef i stafit të kongresmenit Eliot Engel, përfaqësues të institucioneve qeveritare, organizata joqeveritare, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë e mysafirë të tjerë.
Ministri Krasniqi tha se vendimi i tij për themelimin e këtij muzeu, është në kuadër të promovimit të diversitetit kulturor, etnik e fetar në Kosovë.
Ky hap që po e bëjmë në koordinim edhe me Bashkësinë Hebraike të Kosovës konsideroj se do tí shërbejë edhe më shumë ruajtjes së kujtesës historike dhe mbi të gjitha miqësisë mes dy popujve tanë.\"
\"Unë besoj se gjatë këtij viti, me ndihmën edhe të arkitektit të njohur botëror, Ron Arad, ne do të finalizojmë një ekspozitë të përhershme që do të prezantojë në mënyrën më të mirë trashëgiminë e komunitetit hebraik të Kosovës, tha ai.
Ministri ka çmuar lartë sakrificën që shumë familje shqiptare kanë bërë në Kosovë për hebrenjtë si dhe ka çmuar po ashtu miqësinë që ekziston mes dy popujve për vite me radhë.
Populli shqiptar në çdo etapë të historisë së tij ka treguar përkushtimin për paqe dhe tolerancë ndërmjet njerëzve. Edhe në vitet e errëta të luftës së dytë botërore, populli ynë në këto troje ishte nga të paktit që doli në ndihmë të hebrenjve, duke i hapur dyert e shtëpive të tyre për ti strehuar ata dhe për ti mbrojtur nga kthetrat e nazizmit që kishte depërtuar në pothuaj se çdo cep të Evropës.\"
\"Ne krenohemi me ato përpjekje që kanë bërë të parët tanë, që kanë kontribuar jo vetëm në shpëtimin e shumë jetëve, por edhe në ruajtjen e diversitetit kulturor të Kosovës, të ndërtuar shekuj me radhë, e që neve na bën një vend unik. Ky diversitet kulturor, etnik e fetar është një vlerë e veçantë e Republikës së Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë dhe ta promovojmë.\"
\"Përveç tjerash, me këtë frymë bashkëpunimi mes komuniteteve të shumta që jetojnë këtu, ne po bëhemi një shembull i mirë për shumë vende që të ndërtojnë një të ardhme në frymë të tolerancës dhe bashkëpunimit, deklaroi ministri Krasniqi.
Ndërkaq Jason Steinbaum, shef i stafit të Kongresmenit Eliot Engel, ngritjen e një muzeu të trashëgimisë hebraike në Kosovë dhe përkujtimi që I bëhet holokaustit dëshmon për miqësinë dhe kulturën e lartë për respektimin e diversitetit kulturor, etnik dhe fetar që ka populli në Kosovë.
Ai tha se ky është një rrëfim shembull se si një popull ruan më shumë vullnet trashëgiminë kulturore të shumë popujve që kanë jetuar e jetojnë këtu.