Themelohet “cluster Eunic Prishtinë” valorizim i aktiviteteve kulturore në Kosovë
Prishtinë, 12 korrik - Ambasadat e Austrisë, Francës, Italisë, Luksemburgut dhe Instituti Goethe nga Gjermania, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, do të nënshkruajnë një protokol për themelimin e “cluster Eunic Prishtinë”.
Krijimi i "cluster Eunic Prishtinë" u regjistrua në Bruksel, në qershor 2018 nga Asambleja e fundit e përgjithshme e Eunic global, rrjeti i instituteve kulturore kombëtare të Bashkimit Evropian.
Kjo iniciativë mbështetet nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian dhe është e hapur për të gjitha shtetet anëtare të përfaqësuara në Kosovë. Ambasada e Francës do të kryesojë grupin e sapokrijuar për vitin e parë.
Vendet themeluese të grupit kanë miratuar një strategji që synon koordinimin e aktiviteteve kulturore të anëtarëve të saj dhe forcimin e institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal në aktivitetet e tyre kulturore.
Në këtë mënyrë, aktorët kulturorë lokal do të përfitojnë nga sinergjitë e krijuara duke bashkuar aktivitetet e partnerëve të ndryshëm evropianë. Grupi po themelohet në vitin 2018, Viti i Trashëgimisë evropiane.
Disa projekte konkrete do të iniciohen nga anëtarët e grupit. Në afat të shkurtër, grupi do të mbështesë organizimin e “Ditës Evropiane të Gjuhëve” më 26 shtator 2018, një ngjarje që ka për qêllim promovimin e diversitetit gjuhësor të gjuhëve evropiane.
Në periudhën afatmesme, grupi do të mbështesë nismat për të promovuar turizmin, siç janë aktivitetet e qendrës së informacionit turistik, që Komuna e Prishtinës është zotuar ta hapë së shpejti.