Thaçi kujton Fan Stilian Nolin
Prishtinë, 6 janar - Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka kujtuar veprimtarinë e shkrimtarit Fan Stilian Noli, me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së tij.
Thaçi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Noli ka luajtur rol një protagonist e të pakrahasueshëm njëkohësisht në politikë, letërsi, kulturë, gjuhësi, histori dhe fe. Më 6 janar të vitit 1882 ka lindur një prej figurave më të jashtëzakonshme të historisë së popullit, Fan Stilian Nolin. Po e shënojmë përvjetorin e ditëlindjes së Nolit në një kohë kur shqiptarët janë më të lirë e më të begatë dhe kur përpjekjet dhe kontributet e tija të shumëfishta për lirinë, zhvillimin dhe kulturën e popullit tonë janë duke u kurorëzuar me sukses.
Ai njihet, jo vetëm si njeri i aksionit politik dhe mjeshtër i letrave, por edhe si ideator dhe themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në këtë ditë ne përulemi me mirënjohje para veprës së tij, pasi si pak të tjerë, Noli ka luajtur rol një protagonist e të pakrahasueshëm njëkohësisht në politikë, letërsi, kulturë, gjuhësi, histori dhe fe, ka thënë Thaçi.