Teatri Kombëtar i Kosovës në kaos
Prishtinë, 13 prill - Teatri Kombëtar i Kosovës ndodhet në kaos. Menaxhmenti dhe aktorët rezidentë të këtij institucioni nuk janë duke gjetur gjuhë të përbashkët për mbarëvajtjen e programit.
Përderisa menaxhmenti të mërkurën ka lajmëruar se institucioni më i lartë teatror do të vazhdojë punën pas problemeve me ujëra të zeza, aktorët kanë refuzuar të dalin në skenë. Kësisoj publiku është kthyer prapa.
Kasta e aktorëve të shfaqjes “Pasioni” nuk ka pranuar të jepet shfaqja me arsyetimin se ndihen të rrezikuar për shkak se deri të hënën bodrumi i TKK-së ishte vërshuar nga ujërat e zeza. Refuzimi ka ardhur edhe pasi paraditen e së martës, të gjitha hapësirat janë dezinfektuar dhe në orën 13:00 është mbajtur një akademi përkujtimore për dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ku në skenën e madhe kanë folur udhëheqësit më të lartë shtetërorë, shkruan sot Koha Ditore.
Një orë para orarit për dhënien e shfaqjes, ushtruesja e detyrës së drejtorit të TKK-së, Kumrije Hoxha, i ka thënë gazetës se shfaqja do të jepet pasi menaxhmenti ka marrë vendim që institucioni të nisë punën pasi e kishte ndërprerë atë për të hënën dhe të martën. Por Hoxha ka dështuar t’i bindë aktorët.
Kësisoj ka ngjarë edhe pse balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës nuk i kanë ndalur provat asnjë ditë, e këtë nuk e ka bërë as ekipi i shfaqjes “Hamleti simbas Horacit”, premiera e së cilës do të jepet të hënën. Punëtorët e stafit teknik dhe ata të administratës ndryshe prej një grupi aktorësh, nuk kanë munguar asnjë ditë në punë.
Pos dezinfektimit që ka kushtuar 350 euro, aktorët duan edhe një shkresë zyrtare nga inspektorati si dëshmi që mund të luajnë në skenë pa iu rrezikuar shëndeti.
/Koha Ditore/