23 Dhjetor 2024

Të rinj të angazhuar në realitetin pas pavarësisë

Prishtinë, 7 shkurt - Jeta në tri vitet e fundit, mënyra e qeverisjes, roli dhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve, janë çështje që nuk i lënë indiferent artistët e një brezi rreth të 30-ave në Kosovën e sotme.

Me punët e tyre, Driton Selmani, Rrezeart Galica (Giqi) dhe Sabile Tmava (Billi), tre artistët pjesëmarrës nga Kosova në “Onufri 2010”, nxisin reflektimin mbi këtë realitet.

Driton Selmani te videoja “Utopia-Vendi që nuk ekziston”, ngre pyetjen “Me të vërtetë Prishtina është vendi perfekt, ku mund të jetosh, apo është vetëm një vend imagjinar, inekzistent?”.

Reagimi i të riut kundrejt atij realitetit utopik që propagandojnë liderët.

Në pllakatin “H-Qeverisje” (1 m x 70 cm, pllakat) të Rrezeart Galica - Giqi, rrijnë dy simbole, stema e Republikës së Kosovës, që dublohet në një maskë teatri ngjyrë gri.

Rrezearti, një orë para se të linte Tiranën, ishte në Galerinë e Arteve, dhe e shpjegoi vetë “maskimin e Kosovës së Pavarur”.

E shoqëronte Billi (pseudonimi i Sabile Tmavës), e treta konkurrente nga Prishtina në “Onufri 2010”.


Njeriu i fotografisë që ajo prezanton në Onufri, i kthyer me kurriz, vështron një hapësirë të errët dhe bën pyetjen “Çka tash?”, një pyetje që ngjall dyshime, pasiguri. Për Billin, këto tre vitet e fundit, nuk sollën atë që pritej.

“Duket sikur po ngelim në të njëjtën kohë, në po të njëjtin vend. Secili ia bën vetes pyetjen: çfarë do të bëjmë tani?”


Billit i pëlqen të fotografojë realitetin e pasluftës, gjurmët e shkatërrimeve, ndryshimet drastike, personazhe që kanë mbijetuar e tani përballen me të tjera vështirësi.

Fotografia e re ka humbur në luftë të atin, “pa të mshelnin sytë njerëz të dashur, ndërsa tjerët vuanin të gjenin forcën”.

Puna e Rrezeart Galicës, i nxitur të marrë pjesë në ekspozitë nga koncepti brilant kuratorial, mund të lexohet në dy mënyra, nga shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë.

Për ata që do ta shohin punën te Onufri, do të donte të kuptonin që “stema e Kosovës është vetëm një maskë, ajo është e imponuar, si simbol i shtetit të ri. Ne të gjithë jemi shqiptar dhe e dijmë që simboli Kombëtar është flamuri me shqiponjën dykrenare, për të cilën shqiptarët e Kosovës kanë luftuar ndër vite. Nuk ka mundësi që një populli t’i ndryshohen simbolet pa vullnetin e tij”. 

Për vendasit ai kërkon që reflektimi të çohet më tej. Ata janë të vetëdijshëm për kushtet sociale, ekonomike, ata i njohin raportet e ndërkombëtarëve, ata e dinë sesi po qeverisen këto kohë vendi.

Giqi, 29 vjeçar, mendon që “Prej tri vitesh, Kosova ka pasur një qeverisje të dobët. Kosovën e kanë çuar në atë gjendje sa gati po e radhisin në radhën e shteteve që kanë dështuar. Ka pasur shumë korrupsion në Kosovë, ndërhyrje dhe kërcënim ndaj mediave, krim të organizuar dhe këto probleme e kanë bërë si një pikë të zezë në rajon”.

Nëpërmjet artit ai merr përsipër të shprehë shqetësimin e shoqërisë për padrejtësitë ndaj qeverisjes së vendasve, por edhe ndërkombëtarëve. 

“Nuk duhet të na sjellin në Kosovë, udhëheqës që në vendin e tyre kanë dështuar dhe në vendin tonë tentojnë të marrin udhëheqjen”, vijon i riu.

Me ironi Rrezearti tregon se si një polic i Ugandës, që kishte kryer krime në Ruandë dhe ishte i kërkuar për ato krime,  “zbatonte ligjin në Kosovë”, apo një tjetër drejtues, përgjegjës i hekurudhave ka qenë njeriu i cili ka punuar në porte detare dhe ka ardhur nga shteti ku hekurudha është ndërprerë para 40 vitesh.

Giqi e rimerr sërish këtë temë, në një pllakat të disenjuar, me të cilën po konkurron këto kohë të marrë pjesë në Bienalen e Berlinit. Thelbi dhe mesazhi janë të njëjtët: Pllakati “tUNg” është kritikë ndaj misionit ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara që kanë qenë në Kosovë.

Nëse pranohet, mesazhi shkon aty ku duhet, po ekspozohet përpara ndërkombëtarëve. 


Rrezearti mendon se të njëjtën ndjeshmëri për problematikat e realitetit kanë edhe artistët e rinj shqiptarë që morën pjesë këtë vit te Onufri.

Në Kosovë, në Ekspozitën Ndërkombëtare “Muslim Mulliqi”, simotër e “Onufri”-t, Rrezearti nuk ka marrë pjesë fare. “Tema nuk e tërhiqte dhe mbi 50 për qind të artistëve, i takonin kryesisht gjeneratës së vjetër e që koncept ishte shumë larg atij art bashkëkohor që pretendonin kuratoret”. 

“Ka një konfuzion me gjeneratat mesatarsht të vjetra të cilat nuk na lënë edhe aq shumë hapësirë, për të ekspozuar dhe në një farë mënyrë mundohen të kontribuojnë edhe në bllokimin tonë për të ekspozuar jashtë. Megjithatë, kjo është e pamundur, sepse nuk ka person e as institucion që na e bllokon ekspozimin e artit tonë jashtë sepse ne kemi mënyrat tona të komunikimit”, vijon Rrezearti i cili lë të kuptohet që në Galerinë Kombëtare, ku ai e ka të vështirë të trokasë, i jepet mundësia vetëm një grupi njerëzish dhe po ai “klan” tenton gjithmonë që të ekspozon edhe jashtë vendit. 

Kështu, “kolegët ekspozojnë te kolegët ku ata janë drejtues galerie dhe anasjelltas, qarkullon e njëjta frymë, që publikun e neverit, kur sheh emra të njëjtë, stil të njëjtë”.
Artisti duket se ka rezerva edhe për “Onufrin”.

“Në rastin e vendit të parë, shohim bagazhin e artistit. Duhet të tentohet që në ekspozita si “Onufri”, titulli mos të jepet për shkak të bagazhit artistik, por për domethënien e veprës, për mesazhin që provokon te publiku, te juria, te të gjithë sepse në të kundërtën po i hynë në hak artistëve të rinj për risitë që tentojnë të sjellin në artin bashkëkohor”.
 
Sugjerimi i dytë ka të bëjë me komunikimin dhe bashkëpunimin që duhet të ekzistojnë mes dy ekspozitave më me rëndësi të artit pamor, në Tiranë dhe Kosovë, të shkëmben artistë, të shkëmbehen përvoja.

Ai thotë se “duhet që ekspozita ndërkombëtare “Onufri” të mbahet në Prishtinë me artistët nga Shqipëria dhe ajo ekspozita ndërkombëtare “Muslim Mulliqi” në Tiranë me artistë nga Kosova kjo mënyrë intesifikon jo vetëm bashkëpunimin por edhe njohjen më të thellë përmes veprave të artit nga publiku artdashës i dy vendeve tona”.

Rrezeart Galica – Giqi është diplomuar në degën e dizajnit në Fakultetin e Arteve të Prishtinës në vitin 2005. Më 2008 ka magjistruar në degën e dizajnit rafik dhe multimedias. Nga disiplinat e dizajnit grafik u përqendrua te pllakati, sepse “përçon më mirë idenë e artistit tek publiku artdashës”.

Vitin e kaluar, Rrezearti ka hapur në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranë, ekspozitën personale “Para fillimit”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)