Sonte ndahen çmimet Oscars, filmi 'Shok' pjesë e tyre
Los Angeles, 28 shkurt - Sonte me 28 shkurt do të ndahen çmimet Oscars ku për herë të parë në histori Kosova është pjesë e kësaj ceremonie me filmin 'Shok'.
Të pranishëm në ceremoni do të jenë: regjisori, Jamie Donoughue, producentët, Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott si dhe protagonistët e mrekullueshëm Lum Veseli dhe Andi Bajgora, të cilët kanë nisur një faqe të re për Kosovën dhe industrinë e filmit kosovar.
Që nga nominimi i filmit 'Shok', filmi dhe Kosova kanë pasur shumë vëmendje në të gjitha mediet kombëtare dhe ndërkombëtare duke cilësuar këtë film si favorit të kategorisë 'Best Live Action Short Film' gjë që ka ngritur shtetin e Kosovës në këmbë dhe na kanë bërë jashtëzakonisht të lumtur që jemi dëshmitar të këtij suksesi.
Sonte para ceremonisë Oscars do të keni rastin të shihni dhe ta mbështesni premierën televizive të filmit 'Shok' në RTK me fillim prej orës 21:30.
Duke qenë shumë krenar me të arriturat e filmit 'Shok' dhe me ekipën tejet të talentuar, ju urojmë shikim të këndshëm të filmit si dhe të ceremonisë Oscars dhe cilido që të jetë rezultati i natës së sotme filmi 'Shok' dhe Kosova janë fitues!