10 Janar 2025

Solidarizohen me te mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë, 12 qershor - Në ditën e çlirimit të Prishtinës, stadiumi i qytetit është mbushur plot e përplot me fustane apo funde në kujtim të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Për një muaj me radhë, çdo ditë gra dhe burra, në çdo cep të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së artistes Alketa Xhafa-Mripa duke dhuruar fustane për të krijuar instalacionin artistik “Mendoj për Ty” për t’u solidarizuar me mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. 

Kjo sipas Presidentes Atifete Jahjaga ishte  thirrje për të thyer heshtjen, për të luftuar stigmën, thirrje për veprim, për ndërgjegjësim, për pranim.

\"Në këtë vepër të artit publik, që vjen para nesh në formën e mbi 5,000 fustaneve të varura në këtë stadium futbolli, ne komunikuam me njëri-tjetrin me gjuhën universale të artit. Pa ndërmjetësim, drejtpërdrejt.\" 

\"Përjetuam shumë emocione. Dëshmuam se Kosova nuk ka qytetarë për të humbur. Se ne nuk i lëmë ata pas. Dhe që në përvjetorin e çlirimit të vendit tonë, në këtë ditë të veçantë, me të mbijetuarit e kësaj torture, që jetojnë ende me këtë luftë brenda vetes, do të jemi bashkë.\"

\"Sepse sot derisa e festojmë lirinë, e përkujtojmë edhe vuajtjen e thellë të shkaktuar nga lufta. Sepse paqja jonë kurrë nuk do të jetë e plotë pa paqen e tyre. Shpresoj që të mbijetuarit ndihen më të lehtësuar, më të vlerësuar, sepse ja ku jemi. Nuk ka ne dhe ata. Jemi ne dhe jemi një\", ka theksuar Jahjaga.

Ajo ka thënë me tutje se kjo fushë futbolli e mbushur me fustane, dhe kjo pamje, po më lë pa frymë. Nga njëra anë, për përmasat e një çështjeje që është heshtur për kaq gjatë. Nga ana tjetër, për shpresën që lind nga ky solidarizim, nga kjo përkrahje.

\"Gjetëm përkrahjen e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe organizatave të grave të cilat që në ditët e para u bënë zëri i të mbijetuarave dhe ju ofruan atyre mbështetje të palëkundur. Sevdia, Igballja, Feridja, Mirlinda, Veprorja, Kadirja e shumë e shumë gra të tjera. Ju faleminderit!\", ka theksuar ajo.

Për këtë projekt kanë punuar disa nga të mbijetuarat e luftës, të cilat nuk kanë dashur që të fotografohen. Gjithashtu janë dhuruar fustane nga shumë gra nga mbarë bota, duke filluar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, si dhe këngëtarja me origjinë kosovare Rita Ora.

Ky projekt ka për qëllim të portretizojë pafajësinë e grave të cilat kanë qenë viktima dhe tani kanë nevojë për njohjen dhe mbështetjen e të gjithë shoqërisë. Ai është organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, i themeluar dhe i udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)