SKENA UP thërret studentët ta shpallin pavarësinë
Prishtinë, 17 nëntor - Festivali Ndërkombëtar i Studentëve për Film dhe Teatër, fton të gjithë studentët e Fakultetit të Arteve dhe të tjerë që pëlqejnë teatrin, që të bëhen pjesë e punëtorisë Shpalle Pavarësinë.
Aplikimi është i hapur deri me 30 nëntor, dhe numri i pjesëmarrësve është i limituar. Por thyerja e limiteve është qëllimi i punëtorisë
Në edicionin XII, SKENA UP ka përgatitur një punëtori të veçantë në të cilën pjesëmarrësit do të bëhen pjesë e një procesi artistik qëllimi i të cilit është shpallja e pavarësisë.
Shpalle pavarësinë - punë intensive trupore përtej limiteve ritmike, titullohet punëtoria e cila do të udhëhiqet nga Catalin Jugravu, një prej aktorëve dhe valltarëve më të mirë të gjeneratës së re në Rumani që së fundmi është zhvendosur në Berlin ku është fokusuar kryesisht në zbulimin e trendëve në artin bashkëkohor performativ.
Punëtoria është e hapur për të gjithë të interesuarit në Fakultetin e Arteve dhe të tjerëve që janë të interesuar për punën në teatër. Detajet e tjera i gjeni në faqen e SKENA UP në Facebook dhe në ueb faqen skenaup.com.
Së bashku do të fokusohemi të sjellim një çrregullim në një strukturë tanimë të mësuar, strukturë të përditshme. Duke nisur nga principet e qarta, me anë të improvizimit dhe ushtrimeve specifike do ti thyejmë lëvizjet e zakonshme trupore, thotë Jugravu.
Punëtoria do të përfshijë improvizime interaktive, në kontakt me tjetrin, me anë të muzikës techno e cila do të luhet live nga Dj me origjinë kosovare por që jeton në Stockholm (Suedi) Laura Bacaj. Nëpërmjet lëvizjeve teatrore dhe muzikës techno e konsideruar si muzikë më e ashpër dhe me probabilitet më të madh për të zbuluar impulsin natyror të trupit të njeriut.
Kësisoj trupi ynë do të lodhet. Improvizime të tjera do të pasojnë, në një strukturë që na lejon të bëhemi gati për ditën e fundit të punëtorisë, thotë Jugravu.
Punëtoria do të mbahet në hapësirën e teatrit në Qendrën Multimedia dhe do të mbyllet me një performancë teatrore, prodhim i punës 5 ditore.