Skena Up themelon çmimin "Vehap Shita"
Prishtinë, 18 nëntor - Në shenjë nderimi për doajenin e kritikës teatrore kosovare, Vehap Shita (1923-2014), dhe me qëllim për krijimin e një mendësie të re në fushën e kritikës teatrore në Kosovë, Festivali SKENA UP, në edicionin e vet të XII, themelon Çmimin për Kritikë Teatri Vehap Shita
Me qëllim që të krijoj vazhdimësi të traditës së kritikës teatrore në Kosovë përmes nderimit të njërit nga themeluesit e saj dhe të njërit nga personalitetet më të shquara në këtë fushë, Vehap Shita, SKENA UP do të nderoj në edicionin e XII këtë personalitet duke themeluar një çmim me emrin e tij.
Festivali Ndërkombëtar i Studentëve për Film dhe Teatër SKENA UP nëpërmjet nderimit të Vehap Shitës, një prej mysafirëve e vizitorëve më të parë të festivalit, do të ndaj çmimin për kritikët e rinj të teatrit.
Kritiku i teatrit Vehap Shita ka qenë anëtar jurie në Festivalit SKENA UP qysh në edicionin e parë dhe më pas një nga mysafirët më special në programin e teatrit.
Çmimi do ti ndahet shkrimit më të mirë të kritikës teatrore për shfaqjet e dhëna në edicionin e XII të Festivalit SKENA UP. Në edicionet e tjera, të drejtë konkurrimi për këtë çmim, përveç shkrimeve për shfaqjet e edicionit përkatës të Festivalit, do të kenë edhe të gjithë studentët e drejtimeve përkatëse, të cilët gjatë gjithë vitit do të shkruajnë dhe do të publikojnë shkrimet e tyre kritike në fushën e teatrit në ndonjërën nga mediat e shkruara apo ato online.
Nëpërmjet këtij çmimi ne duam të nxisim kultivimin e mëtutjeshëm të kritikës teatrore të Shitës, në frymën bashkëkohore tek kritikët e brezit të ri.
Gjithashtu të përmbushim vakumin aktual në hapësirën e kritikës teatrore në Kosovë dhe, përmes kësaj, të ndikojmë në zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja në këtë fushë.
Festivali SKENA UP falënderon anëtarët e familjes së z.Vehap Shita që na kanë dhënë lejen për themelimin e këtij çmimi në emër të z.Shita, dhe profesorin e regjisorin Bekim Lumi, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Vehap Shitës në dekadën e fundit, për ndihmën e madhe që ka dhënë në themelimin e këtij çmimi.
Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë studentët e Degës së Artit Dramatik (Dramaturgji, Regji Teatri dhe Aktrim) të Fakultetit të Arteve, studentët e Fakultetit të Filologjisë (Gazetari, Letërsi dhe Gjuhë Shqipe), studentët e Fakultetit Filozofik (Sociologji dhe Filozofi), të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, si dhe studentët e drejtimeve të ngjashme në të gjitha universitetet private të licencuara nga MAShT e Republikës së Kosovës.
Të gjitha shkrimet do të publikohen dhe më pas vlerësohen nga një juri tre anëtarësh, përbërjen e së cilës SKENA UP do ta bëjë shpejti publike.