SKENA UP shpallë Jurinë e Filmit dhe Teatrit
Prishtinë, 16 nëntor - Gjashtë personalitete të filmit dhe teatrit janë ftuar sivjet nga SKENA UP për tu bërë pjesë e dy jurive në edicionin e 12-të të festivalit.
Dramaturgu dhe shkrimtari amerikan Harold Apter, regjisorja kosovare Kaltrina Krasniqi dhe shkrimtarja nga Shqipëria Natasha Lako përbëjnë jurinë e filmit. Ata që do të kenë barrën e vlerësimit të filmave që sivjet është e përmbledhur në vetëm një program: konkurrenca ndërkombëtare në të cilën për herë të parë sivjet hynë edhe filmat e studentëve kosovarë dhe atyre nga Shqipëria.
Ndërsa në jurinë e teatrit sivjet janë aktori rumun Catalin Jugravu, aktori dhe muzikanti Dirk Rademacher dhe dramaturgia kosovare Fjolla Hoxha. Fjolla Hoxha është kritike e dramës dhe teatrit, poete, dramaturge dhe DJ. Ajo ka studiuar dramaturgji në Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht në Fakultetin e Arteve dhe kritikë për teatër e film në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Stambollit. Kaltrina Krasniqi është një nga femrat e para në Kosovë që ka diplomuar në regji filmi, në vitin 2004.
Ajo jeton në Prishtinë ndërsa realizon filma që nga mosha 18 vjeçare. Natasha Lako u bë e njohur në Shqipëri që në maj 68 me botimin e poezive të saj të para në moshën 16 vjeçare.
Juria e Teatrit do të vlerësojë shfaqjet konkuruese të cilat garojnë për çmimet: Shfaqja më e mirë, Regjia më e mirë dhe Aktori më i mirë. Ndërsa si zakonisht çmimi ADRIANA për aktoren më të mirë edhe sivjet do të ndahet nga Teatri Dodona.
E juria e programit të filmave do të jap vlerësimet e veta për çmimet : Filmi më i mirë i luajtur, Filmi më i mirë dokumentar dhe Filmi më i mirë i animuar. / KultPlus.com