Shtëpia e Prince-it do të hapet për vizitorët
Minneapolis, 26 qershor - Kompania që mbikqyr pronat e yllit amerikan të muzikës Prince Rogers Nelson, thotë se do të hapë për tu vizituar nga publiku shtëpinë e këngëtarit, duke filluar nga muaji tetor.
Kompania Bremer Trust njoftoi se admiruesit do të mund të blejnë bileta në internet, duke filluar nga e dita e premte, për të vizituar kompleksin Paisley Park që ze një sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrore në Chanhassen, një lagje në qytetin e tij Minneapolis, të shtetit të Minnesotës.
Kompleksi u zgjerua shumë, duke u dyfishuar, për të shërbyer si shtëpi banimi dhe studio krijuese për Prince-in.
Këngëtari, muzika e të cilit ishte një gërshetim i disa zhanreve muzikore: rock, funk, rhythm dhe blues, krijoi këngë që morën famë botërore, si \"Purple Rain,\" \"Kiss,\" \"1999,\" apo \"When Doves Cry\". Ai vdiq në prill të këtij viti në moshën 57-vjeçare.
Zyrtarët thanë se shkak i vdekjes ishte mbidoza e ilaçit fentanyl, që përdoret si qetësues për dhimbjet.
Në turin e kompleksit krijues dhe të banimit të Princit, vizitorët do të kenë rastin të shohin studiot e tij të punës, një sallë koncertesh, si dhe mijëra artifakte personale: rroba që ai i vishte në koncerte, medaljet e çmimeve të ndryshme që ka fituar në vite, instrumentet e tij muzikore, automobilat dhe motoçikletat e përdorura prej tij.
Motra e Prince-it, Tyka Nelson, tha përmes një deklarate se hapja për publikun e kompleksit Paisley Park ishte diçka që Prince kishte dashur gjithmonë ta bënte dhe për të cilën ai kishte punuar në mënyrë aktive.