02 Janar 2025

“Shqiptarët gjatë luftërave ballkanike”

Stamboll, 11 dhjetor - Në Qendrën Kulturore të Kosovës me seli në Stamboll, nën udhëheqjen e Qendrës për Hulumtime të Shkencave Sociale - Bülsam, është organizuar aktiviteti shkencor me titull “Shqiptaret gjatë luftërave ballkanike”.

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë akademikët e rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Presheva, të cilët kanë trajtuar çështjen e shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike nga aspektet historike, politike dhe filozofike.

Agroni Islami nga Gjilani, doktorant i Historisë së Periudhës Osmane në Universitetin e Stambollit, gjatë trajtimit të temës së marrëdhënieve shqiptaro-osmane ka theksuar se marrëdhëniet e shqiptarëve me osmanët janë evidente nga lufta e Vjosës (1385) e deri në rënien e Perandorisë Osmane.

“Meqenëse këto marrëdhënie ndryshojnë nga periudha në periudhë, ato edhe duhet trajtuar si të veçanta në kontekstin e kohës kur ato ndodhen dhe jo trajtim emocional që reflekton joprofesionalizëm”, ka thënë ai.

Ndërsa Rrezart Mezani nga Vlora, doktorant në Histori, Shek. 19-20, gjatë trajtimit të temës: “Shqiptarët dhe Shtetet Ballkanike”, ngriti çështjen e qëndrimit të fqinjëve ndaj popullsisë shqiptare. Thelbi i kumtesës të mbajtur prej tij ishte:

“Shtetet Ballkanike, megjithëse shqiptarët kanë qenë pjesëmarrës gjatë procesit të lëvizjeve për formimin e këtyre shteteve, në aspektin politik asnjëherë nuk e pranonin ekzistencën e popullsisë shqiptare, por politikat e tyre ishin që ta merrnin nën kontroll Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që lindi dhe filloi të zhvillohej si një reagim ndaj politikave të këtyre shteteve”.
Sokol Brahaj nga Shkodra, doktorant i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin 9 Eylül trajtoi temën:

“Çështja shqiptare në arenën ndërkombëtare”. Në kumtesën e tij ai u ndal në tri aspekte. E para Kongresi i Berlinit, kur për herë të parë u prek çështja shqiptare si koncept, por jo si shtrirje gjeografike.

 

E dyta, Lufta Ballkanike, kur fuqitë e mëdha në Konferencën e Ambasadoreve në Londër e pranuan ekzistencën e shqiptarëve, por përsëri vendimet i morën në favor të shteteve ballkanike, duke i copëtuar trevat shqiptare. E treta, problemi i pazgjidhur i çështjes shqiptare deri në ditët e sotme, duke marrë si shembull Kosovën dhe Çamërinë.

Panelisti i fundit Latif Mustafa, master universiteti FSVM-Qytetërim, në ligjëratën e tij është fokusuar në tri çështje. Fillimisht ai ka shpjeguar se origjinat e luftërave ishin idetë dhe përplasjet që fillojnë në rrafshin ideor dhe mbarten në atë fizik.

 

Si pikë të dytë ai vuri në spikamë krijimin e paradigmës së civilizimit të ri modern perëndimor në krahasim me transformimin e paradigmës qytetëruese Osmane, me ç’rast kjo e dyta kishte filluar t’i nënshtrohej të parës.

Pika e tretë në shqyrtim ishte sesi lufta ndërlidhej me kombet, rolin e panballkanizmin/pansllavizmin në inicimin e luftërave ballkanike dhe ndikimin e tyre në mendimin politik shqiptar, duke u fokusuar në nacionalizmin, zogizmin, nolizmin dhe komunizmin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)