Shqipëria nuk merr pjesë në Eurovizionin për të rinjtë
Tiranë, 30 shtator - Shqipëria nuk do të dërgojë përfaqësues në Eurovizionin për të Rinj për vitin 2013, i cili mbahet më 30 nëntor në Kiev të Ukrainës.
Shkak kryesor për këtë mungesë të Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës për Fëmijë dhe të Rinj është bërë mungesa e financave nga ana e Radio Televizionit Shqiptar.
Bordi Drejtues i RTSH-së mësohet se ka marrë vendimin për ta lënë jashtë Shqipërinë këtë vit dhe këtë ia komunikuar Shoqatës Europiane të Transmetimit (EBU) vetëm dy ditë më parë.
RTSH-ja na ka konfirmuar sot tërheqjen e saj nga Festivali Eurovizion për të Rinj, i cili është planifikuar të mbahet në Kiev të Ukrainës, si pasojë e arsyeve organizative dhe ato financiare, theksohet në njoftimin e Shoqatës Europiane të Transmetimit, e cila organizon Eurovizionin për të Rinj dhe për këngëtarë profesionistë.
Ky konkurs, i cili mbledh bashkë të rinjtë dhe fëmijët nga e gjithë Europa, i paraprin Eurovizionit të këngëtarëve profesionistë, në të cilin Shqipëria është përfaqësuar çdo vit.
Kjo mospjesëmarrje e Shqipërisë duket se lidhet me situatën e vështirë financiare që po kalon RTSH-ja, i vetmi radiotelevizion publik në vend.
Qeveria e re socialiste ka theksuar se do të kryejë në këtë institucion reforma të rëndësishme, për ti kthyer para së gjithash paanshmërinë profesionale.
Situata aktuale në RTSH është kaotike, edhe për shkak të përfundimit të mandatit ligjor të drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni dhe pritjes për ndryshime nga ana e qeverisë së re.
Situata financiare e RTSH-së konsiderohet si e vështirë, pavarësisht faktit se çdo vit, secila nga familjet shqiptare paguan një taksë fikse prej 100 lekësh për të financuar gjigantin mediatik publik.
Po kështu, pretendohet se RTSH-ja të përfitojë të ardhura të shumta si pasojë e shitjes së të drejtës së transmetimit për një sërë eventesh artistike, kulturore dhe sportive, për të cilat ajo mban ekskluzivitetin e transmetimit.