Shqipëria dhe Kosova me Kalendar të Përbashkët Kulturor
Prishtinë 16 shkurt - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro - Furxhi, të shoqëruar nga dy zëvendësministrat Rexhep Hoti dhe Zef Çuni, nënshkruan në Tiranë Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës.
Me këtë akt, dy ministritë e kulturës, kanë rënë dakord për përfshirjen e aktiviteteve kulturore të dy vendeve në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor, i cili realizohet për të tretin vit me radhë.
Me nënshkrimin e Kalendarit të Përbashkët Kulturor, Shqipëria dhe Kosova, thellojnë edhe më tej bashkëpunimin ndërkulturor dhe forcojnë hapësirën e përbashkët kulturore, u tha ndër të tjera në ceremoninë zyrtare të organizuar në Tiranë.
Dy ministrat e kulturës, Shala dhe Kumbaro-Furxhi, vitin e kaluar e vlerësuan mjaft të suksesshëm në realizmin e Kalendarit të Përbashkët Kulturor dhe u zotuan se do të bashkëpunojnë ngushtë që sivjet të realizohen në tërësi programi i përbashkët ndërmjet dy shteteve.
Po ashtu, Shala dhe Kumbaro-Furxhi u shprehën se nëpërmjet krijimit të një hapësire të përbashkët kulturore dhe intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës, krijohen kushte më të mira për integrime, afirmimin dhe njohjen e mëtejmë të vlerave të përbashkëta kulturore.
Ministri Shala u shpreh se Kalendari i përbashkët edhe sivjet synon të avancojë dhe të promovojë kulturën nacionale, brenda hapësirës shqiptare, apo jashtë saj, dhe, sikur edhe vitin e kaluar, ne kemi vullnetin që aktivitetet e parapara e parapara të realizohen në tërësi dhe të krijohen mundësi për shtimin e veprimtarive të tjera kulturore në vitet në vijim.
Gjithashtu ministria Kumbaro-Furxhi u shpreh se me këtë akt, kultura dhe arti shqiptar po afrohen dhe po komunikojmë më intensivisht ndërmjet veti, si dhe po ndihmon në promovimin e kulturës sonë të përbashkët edhe jashtë hapësirave shqiptare.
Kalendari i Përbashkët Kulturor, është rezultat i Deklaratës së përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Sivjet, në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor, parashihen një sërë aktivitetesh të përbashkëta, të cilat do të realizohen në Shqipëri dhe Kosovë, sipas programit dhe kalendarit të përcaktuar, në fushën e librit, të teatrit, trashëgimisë, filmit, arteve muzikore e pamore. Këto aktivitete mundësojnë zhvillimin, njohjen dhe promovimin e ndërsjellët të kulturës shqipe.