Shpaloset vizioni për edicionin e parë të Autostrada Biennale
Prishtinë, 18 dhjetor- Në Galerinë Kombëtare të Kosovës të premten u organizua takim me kuratorin e edicionit të parë të Autostrada Biennale, Manray Hsu (Taipei, Tajvan).
Në këtë takim, ekipi Autostrada Biennale, së bashku me kuratorin, shpalosen vizionin për edicionin e parë të Autostrada Biennale.
Leutrim Fishekqiu, nga Autostrada Bienale, theksoi se kjo bienale është themeluar me misionin për të zgjeruar kulturën dhe për rigjallërim të komunitetit: \"Kemi në plan të vëmë në pah kushtet sociale, politike, ekonomike dhe estetike, të cilat ndikojnë edhe në jetën e përditshme, përtej botës së artit - për të bërë qytetin muze në vehte, që është një vend i bashkëkohores. Një vend ku përvojat lokale të kohës përmbysin unitetin e përvetësimit duke shpikur kohën e vet.
Ky takim shënoi përfundimin e rezidencës dhjetë ditore në Kosovë të kuratorit kryesor të edicionit të parë të Autostrada Biennale, Manray Hsu. Për Hsu, kjo është hera e parë në Kosovë, një përvojë që ai e përshkroi si \'\' shok kulturor\", duke vlerësuar në mënyrë të veçantë të rinjtë që ka takuar dhe energjinë e tyre.
Manray Hsu konsideron Autostrada Biennale si një nga projektet më sfiduese në karrierën e tij: \"Koncepti i Autostrada Biennale është utopik, por jo fiksion. Ideja ime për edicionin e parë do të jetë një kombinim i veprave dhe ndërhyrjeve, ku qytetarët lokal dhe vizitorët janë të përfshirë, për të reflektuar, pyetur dhe vizualizuar qytetin dhe përtej. Historitë e Prizrenit dhe të Kosovës kanë rritur interesin tim në atë se si disa pjesë të botës që konsiderohen të shkëputura, duan të bashkohen në hartën e ngjarjeve botërore \".
Edicioni i parë i bienales i cili do të mbahet në muajt gusht dhe shtator 2017 në Prizren, ka për qëllim të forcojë dhe zgjerojë skenën bashkëkohore të artit në vend dhe rajon, me objektivat kryesore: ri-funksionalizimin e hapësirave të trashëgimisë kulturore, krijimin e një programi të edukimit formal dhe joformal përmes artit bashkëkohor dhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit të skenës së artit bashkëkohor në vend, rajon dhe më gjerë nëpërmjet debatit dhe të menduarit kritik.
Autostrada Biennale planifikon të bëjë qytetin dhe qytetarin pjesë shumë të rëndësishme të organizimeve të saj, duke i përfshirë në ndërtimin e Autostrada Biennale. Së bashku me qytetarët, kjo bienale do të krijojë hapësira të reja për ekspozita, edukim joformal, diskutim dhe reflektim duke stimuluar në këtë mënyrë lirinë e shprehjes, shkëmbimin kulturor dhe të menduarit kritik, te audienca e gjërë e artit bashkëkohor në Kosovë.
Autostrada Biennale do të jetë një nismë për përdorimin e hapësirave alternative për organizimin e ngjarjeve të ndryshme në kuadër të artit bashkëkohor dhe kjo do të shërbejë si promovim i hapësirave dhe ndërtesave të vjetra që kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe kujtesës kolektive. Do të përpiqet për të rritur vetëdijen qytetare për rëndësinë e bashkëpunimit - ri funksionalizimin e objekteve private dhe publike, që u takojnë qytetarëve dhe qytetit të Prizrenit.
Programi i rezidencës për curator u përkrah nga: Zyra Zvicrane për Bashkëpunim, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit dhe Galeria Kombëtare e Kosovës.