Shndërrimi i Burgut te Prishtinës në muze është i domosdoshëm

Prishtinë, 8 shtator - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit priti sot në takim konstituiv anëtarët e grupit punues për shndërrim në muze të ish-burgut të Prishtinës.  
Në takim Ministrja u shpreh e lumtur që në mandatin e saj si ministre ish-burgu i Prishtinës filloi procedurat e shndërrimit në muze. 
"Burgu i Prishtinës ishte vendi ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht, prandaj shndërrimi i tij në muze është i domosdoshëm për kujtesën tonë kolektive dhe për njohjen e kontributit të shumë njerëzve në Kosovë", tha Ministrja Dumoshi. 
Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.  
Gjatë takimit anëtarët e grupit punues thanë se do të angazhohen maksimalisht gjithmonë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, si dhe aspektin shoqëror dhe historik të saj. 
Trashëgimia kulturore e shpirtërore dhe ruajtja e kujtesës kolektive janë prioritet kyç i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 
















