Shkarkohet këshilli i vjetër, emërohet i riu
Prishtinë, 13 maj - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i ka shkarkuar të mërkurën të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Pjetër Bogdani (KD i BKK-së), kurse i ka emëruar anëtarët e rinj të KD-së.
Në përbërje të mëhershme të Këshillit Drejtues të BKK-së, të cilin e kishte emëruar ministri Memli Krasniqi më 24.12.2013 dhe kishte mandat katërvjeçar, deri më 24.12.2016, ishin: Sali Bashota, kryetar, kurse Ibrahim Kadriu, Dashamir Bërxulli, Sadete Tërnava, Xhevat Bajrami, anëtarë.
Ndërkaq, anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues të BKK-së të emëruar nga ministri Shala janë: Kadri Metaj, Bardh Rugova, Muhamet Hamiti, Fazli Gajraku, Feim Hoxha. Këta anëtarë në mbledhjen e parë do ta zgjedhin kryetarin e Këshillit, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë Kadri Metaj, pasi ministri Shala e ka vendosur të parin në listën e vendimit të marrë sot (e mërkurë) e të publikuar në uebfaqen e MKRS-së.
Gazeta Epoka e re gjatë ditës së mërkurë është përpjekur të kontaktojë me ish-kryetarin e Këshillit Drejtues, Sali Bashota, për të marrë prononcim prej tij rreth shkarkimit të anëtarëve të KD-së, por komunikimi me të ka qenë i pamundur. Gazeta ka bërë përpjekje të kontaktojë edhe me Dashamir Bërxullin, ish-anëtar i KL-së, por telefoni i tij nuk ka pasur qasje në rrjet. Për të marrë një përgjigje lidhur me shkarkimin e anëtarëve të KL-së për gazetën janë prononcuar në kushte anonimiteti punonjës të Ministrisë së Kulturës.
Po, është e vërtetë ajo që pyesni. Ministri i ka shkarkuar të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare. Vendimi tashmë është bërë publik në uebfaqen e ministrisë. Përbërjen e anëtarëve të rinj e keni aty, është shprehur ky burim, i cili ka bërë me dije ndërkohë se ish-anëtarët e Këshillit Drejtues nuk i kanë njoftuar për arsyen e dorëheqjes: Ata më sjanë anëtarë. As nuk janë njoftuar se janë shkarkuar ata e janë emëruar të rinjtë. Për çfarë arsye i ka shkarkuar ministri unë nuk e di. Nëse jeni të interesuar të dini, kontaktoni vetë me ministrin ose këshilltarët e tij. Tjetër nuk di çfarë tju informoj.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, tashmë i ka shkarkuar të gjithë anëtarët e këshillave që kishte emëruar ish-ministri Memli Krasniqi. Ai ka shkarkuar dhe emëruar anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të Qendrës Kinematografike të Kosovës, të Institutit të Arkeologjisë, të Muzeut të Kosovës, të Galerisë së Arteve, të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, të Këshillit të Librit të MKRS-së.
Tash e shkarkoi edhe këshillin e fundit të emëruar nga Krasniqi, Këshillin Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Pjetër Bogdani, për të cilin ekspertët e dikurshëm të LDK-së, në krye me këshilltarin e tashëm të ministrit Shala, Vehbi Miftari, patën reaguar javën e parë kur u pat emëruar nga Krasniqi.