Shiroka-Pula, "uragane" e punës
Prishtinë, 12 dhjetor - Gruaja Demokratike e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetare e së cilës është profesoresha Justina Shiroka-Pula, të shtunën në orën 12.00, në njërën prej sallave të konferencave në hotel Sirius, ka bërë përurimin e librit Nëna Terezë, vigane e shekullit tonë dhe të librit tjetër Rrugëtim mes vargjeve.
Në mesin e shumë të pranishmëve, kryetarja Justina Shiroka-Pula ka thënë se me këta dy libra ka qenë qëllimi të tregohet se femrat janë krijuese dhe të zonjat po aq sa meshkujt.
Bashkërisht sot po bëjmë promovimin e këtyre dy librave, të cilët janë të ndryshëm për nga përmbajtja, por kanë një qëllim të përbashkët: promovimin e vlerave të krijuara nga gruaja shqiptare. Libri i parë nxjerrë në pah vlerën humane të gruas shqiptare, e cila i dha shembull gjithë botës së civilizuar, për të cilën krenohemi sot, kurse libri i dytë është një përmbledhje me poezi nga disa prej femrave krijuese sot në Kosovë, saktësisht të 51 poeteve, është shprehur Pula, e cila, duke qenë dashamirëse e artit dhe përkrahëse e grave krijuese, duke kuptuar edhe ndjeshmërinë e tyre që shprehin në arte, veçanërisht në poezi, ka thënë se në poezi është vetë jeta jonë.
Në to njeriu i gjen dritën, mirësinë, ndjeshmërinë, hidhërimin e gëzimin. Vargjet janë vetë shpirti ynë. Poetët dhe koha kanë jetuar bashkë, të mishëruar. Poetët janë ndër të parët që nëpërmjet artit të tyre kanë bërë përpjekje ti thyejnë barrierat e ti ndryshojnë epokat. Ajo jo rrallë ka shërbyer si heshtë në periudha të ndryshme të historisë. Si e tillë, ka shërbyer letërsia kudo. Si e tillë, ka shërbyer poezia edhe tek ne, është shprehur Justina Shiroka-Pula.
Këtë ngjarje kulturore e kanë përshëndetur me fjalë rasti edhe bashkëshortja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, Lumnie Thaçi, sekretari i PDK-së, Basri Musmurati, i cili Justina Shiroka-Pulën a ka quajtur \"\'uragane\' e punës, deputeti Elmi Reçica, zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci dhe biznesmeni Fahri Buçinca.
Në fund të përurimit të këtyre dy librave disa prej poeteve kanë interpretuar poezi.