10 Janar 2025

“Shi në plazh” vepër e arrirë artistike që doli në skenë anemike

Mitrovicë,  5 qershor - Në natën e katërtë të Festivalit Tradicional të Komedisë, që po mbahet në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë,  u shfaq Komedia \"Shi në plazh”, shkruar nga Teodor Laço dhe vënë në skenë nga trupa e teatrit të të rinjve të Qytetit të Prishtinës me regjisor Xhemail Luta.

Teodor Laço (1936) është shkrimtar i shquar shqiptar. Ai ka shkruar shumë romane, novela, përmbledhje tregimesh, drama, komedi, skenare të filmave artistikë dhe dokumentarë, si: “Era e tokës”, “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Tokë e ashpër, “Lendina e lotëve”, “Korbat mbi mermer”, “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”, “Pushimet e kolonelit”, “Shi në plazh”, “Vrasja e buzëqeshjes”, “Një dritare në Kremlin”, “Mjegull” etj. Krijimtaria e tij e pasur letrare në të gjitha zhanret e sipërpërmendura ka marrë vlerësime të rëndësishme nga kritika e specializuar.

Komedia, ashtu si drama e tragjedia, ka një karakter tejet komunikues me publikun, spektatorin, krijon një lidhje të drejtpërdrejtë dhe masive. Vepra “Shi në plazh” është një ndër veprat më të mira të Teodor Laços. Kjo vepër, ashtu si të tjerat e këtij zhanri, është paracaktuar për skenë.

Vetëm në këtë mënyrë ajo bën jetë të dyfishtë letrare dhe teatrore. “Shi në plazh” si vepër letrare lexohet veçmas, ndërsa si shfaqje teatrore perceptohet kolektivisht. Pra, komunikimi i saj ndryshon, kur merret si vepër letrare dhe kur merret si shfaqje teatrore.

Dramaturgu Teodor Laço në këtë komedi ka vënë në shënjestër nëpërmjet humorit të tij të hollë mendjelehtësinë e mendjemadhësinë, lidhjet e kurdisura midis të rinjve, bisedat e kota e shterpe, takimet, sjelljet absurde, cinizmin, kotësinë etj.

Regjisorit Xhemajl Luta i ka pëlqyer kjo vepër, ka pasur parasysh vlerën artistike, mesazhin e saj etj., prandaj për t’i dhënë impuls, ka vendosur ta vë në skenë me një grup të rinjsh amatorë.

Përpjekjet e tij për të tipizuar sa më qartë rolet dhe komedia të procedojë sa më rrjedhshëm, kanë mbetur pa u realizuar gjer në fund në mënyrë të lakmueshme. Shfaqja do të dilte në nivel më të lartë sikur regjisori t’i ikte një lloj novacioni kur aktorët dilnin nga rolet dhe “komunikonin” me spektatorin e sallës.

Ky novacion si dhe përpjekja për t’i qëndruar besnik të folmes dialektore të jugut të Shqipërisë, sollën apati. Veprimet inerte në skenë e kanë dëmtuar shfaqjen, e cila, mjerisht, nuk arriti ta çojë deri në fund mesazhin e mirëfilltë të saj.

Xhemajl Luta ka një përvojë mjaft të madhe në skenë dhe e filloi mirë rolin e Zeno Xhixhos, mirëpo, kur të gjithë mendonin se ai do ta mbajë në këmbë komedinë, në raport me Milo Tafanin, Çomon, Albertin etj., sa vjen e zbehet.

Pra ai nuk ka arritur ta plazmojë gjer në fund rolin me seriozitet. As aktorët e tjerë, si: Merita Bekteshi (Lajdja), Esat Kodra (Alberti), Enver Tullari (Milo Tafani), Erëza Syla (Izmini), Elmira Gërguri (Jeta), Arben Berisha (Çomja), Elona Gërguri (Sanda) dhe Nita Syla (Lili) nuk u shquan për tipizimin e personazheve që luanin.

Pra, u pa qartë se të gjitha këto role duan edhe shumë punë e përkushtim. Spektatori priste situata të zbavitet dhe njëkohësisht të kujtohet, por kot. Kjo vepër ishte një kafshatë e madhe dhe e pakapërdishme për një trupë amatore, përbërja e së cilës dëshmon se ende është e paorganizuar.

Asnjëri prej aktorëve nuk na ofroi një humor që buron natyrshëm. As parullat didaskalike në gojën e Zeno Xhixhos (Xhemajl Lutës) për mirësjelljen, nderin a moralin e lartë, besueshmërinë, ardhmërinë etj., as krekosjet e tij për diapazonin e tij intelektual, nuk ishin burim humori. Futja e dramës brenda komedisë e ka nxjerrë spektatorin mitrovicas nga mjedisi gazmor që e priste. 

Xhemajl Luta si regjisor dhe aktor shumëvjeçar, duke besuar shumë në forcat e veta si dhe në dëshirën për punë, ka sfiduar veten duke marrë një vepër të arrirë artistikisht për ta vënë në skenë, pa qenë shumë i vetëdijshëm se shfaqja me këta aktorë fillestarë e të papërvojë do t’i dalë anemike që nuk e nderon atë. Ajo doli monotone, e zbehtë nga ana emotive, skematike.

E meta kryesore qenë lëvizjet e shumta atëherë kur nuk kishte nevojë, dhe lëvizjet e ngathta atëherë kur kishte nevojë për një dinamizëm më të madh. Ka pasur shpërputhje midis përmbajtjes dhe interpretimit, midis ngarkesës emocionale që ka fraza dhe lëvizjeve të aktorëve. Kështu shumëçka në këtë shfaqje tingëllonte artificiale. Skenografia ishte gjysmë konvencionale e gjysmë natyraliste, mjaft e varfër dhe skematike (të mos themi antiartistike).

Meqë jemi duke përcjellë qe disa net Festivalin e Komedisë këtu në Mitrovicë, ndoshta nuk është e tepërt të shtojmë diçka, që besoj, mund t’u shërbejë regjisorëve, skenografëve, përzgjedhësve të muzikës etj , që në të ardhmen të ofrojnë realizime më të arrira.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)