Shfaqet premiera e dokumentarit “Kosova monumentale e paradokseve”
Prishtinë, 2 mars - OJQ Integra shfaq premierën e dokumentarit “Kosova monumentale e paradokseve”, që do të jepet në Kinemanë ABC.
“Kosova monumentale e paradokseve” është një dokumentar që trajton çështjen e memorialeve të viktimave civile të luftës në Kosovë.
Ky dokumentar në një mënyrë unike pasqyron imazhin e memorialeve të ndryshme në Kosovë të cilat të ndërtuara në kohë e kontekste të ndryshme paraqesin problematika të ndryshme, duke mos arritur kështu të trajtojnë e dokumentojnë kompleksitetin dhe diversitetin e përvojave të viktimave civile.
Dokumentari “Kosova monumentale e paradokseve” ka për personazhe disa monumente që ilustrojnë krejt këtë dështim në dokumentimin e së kaluarës.
Nuk merret me estetikën e tyre – ngritjen pa kritere, koncept e rend – por me etikën e një narracioni të çakorduar për atë se çfarë ka ndodhur në këto anë në luftën e fundit.
Me një përzgjedhje e mënyrë origjinale, e pasuruar dhe plotësuar me intervista me ekspertë të historisë dhe kulturës së Kosovës, artistë e aktivistë, ky dokumentar hedh dritë mbi mënyrat komplekse dhe shpesh kontradiktore në të cilat Kosova ka përkujtuar viktimat civile të luftës.
Përmes këtij dokumentari synohet të nxitet një diskutim i rëndësishëm për rolin e monumenteve dhe memorialeve në formësimin e kujtesës kolektive dhe ballafaqimit me të kaluarën.
Ky aktivitet do të pasohet me një diskutim mbi “historinë” paradoksale të Kosovës nëpërmjet monumenteve dhe memorialeve, i moderuar nga Prof. Durim Abdullahu nga Universiteti i Prishtinës, me panelistë Zanita Halimi, Kryetare e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore; Ylber Hysa, publicist, diplomat, historian e ish-deputet; dhe Nol Binakaj, arkitekt dhe Zëvëndës Drejtor i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës dhe Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB).
Dokumentari “Kosova Monumentale e Paradokseve” është realizuar nga Integra dhe është mbështetur nga National Endowment for Democracy, Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brother Funds dhe Kohavision.