Shfaqet dokumentari ,,Mbrëmja e Harruar për Kosovën”
Prishtinë, 11 qershor - Shoqata ,,Miqësia Kosovë-Izrael” në 19-vjetorin e çlirimit të Kosovës shfaqi dokumentarin ,,Mbrëmja e Harruar për Kosovën”.
Në kuadër të aktiviteteve të shoqatës ,,Miqësia Kosovë-Izrael” në ambientet e kazermës ,,Adem Jashari” në Prishtinë është shfaqur dokumentari ,,Mesazh nga Tel Avivi” dhe ekspozita ,,Mbrëmja e Harruar për Kosovën”, kushtuar ndihmës izraelite gjatë periudhës së Luftës Çlirimtare në Kosovë.
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi i cili i falënderoi organizatorët për vizitën dhe kohën që po ndajnë me ne sot.
Me këtë raste gjeneral Cikaqi theksoi se “19 vjet pas luftës i kthehemi kujtimit të një periudhe të vështirë nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës. Gjatë kësaj kohe popullit tonë i kanë dalë në ndihmë shumë popuj të cilët kanë pasur një histori të ngjashme me popullin tonë. Ne nuk do të harrojmë kontributin e gjithë popujve që ndihmuan dhe, kurrsesi, popullit të Izraelit, të cilët ndihmuan popullin e Kosovës duke mos harruar ndihmën që shqiptarët ju patën dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjangyle Iliazi një nga organizatorët e kësaj ngjarjeje u shpreh se marrëdhëniet në mes shqiptarëve në Ballkan pa dallim nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Hebrenjve kanë një lidhje të fuqishme. “Dua të them një fakt se gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri nuk është vrarë as një hebre, dhe numri i tyre për t`u strehuar në tokat shqiptare është rritur në masë të madhe për shkak të shumë faktorëve siç janë: bujaria dhe besnikëria e shqiptarëve, pushtimi italian, bektashizmi, besa e shqiptarit e shumë faktorë të tjerë. Prandaj tani po kthehem tek mbështetja e popullit dhe shtetit Hebre në kohën e luftës në Kosovë, që ndihmuan në masë të madhe. Populli Hebre që jeton në SHBA dhe në Evropë ndikuan që në Kosovë mos të ndodhë spastrimi etnik. Gjithashtu edhe gjatë kohës së luftës u erdhën në ndihmë refugjatëve të zhvendosur nga vatrat e luftës e që ishin vendosur në Maqedoni dhe Shqipëri".
Lekë Rezniqi foli për ndihmën e popullit dhe shtetit Hebre në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999. Shteti i Izraelit në këtë kohë kishe dërguar një spital ushtarak fushor me mjekë dhe pajisje përcjellëse për të ndihmuar të zhvendosurit të cilit kishin lëndime e plagë në trup, duke trajtuar fëmijë e lehona, pastaj organizuan mbledhje fondesh për refugjatët në Shqipëri e Maqedoni duke realizuar një mbrëmje muzikore me artistë e këngëtarë nga Izraeli për t`i dal në ndihmë popullit të Kosovës. Me këtë rast në amfiteatrin e Brigadës së Mbështetjes Operacionale (BMO) ishte organizuar një ekspozitë me emrin ,,Mbrëmja e Harruar për Kosovën” me fotografi nga aktivitetet të popullit dhe shtetit të Izraelit në ndihmë të popullit të Kosovës gjatë luftës në Kosovë.