Shënohet Dita Botërore e Librit dhe të Drejtës së Autorit
Prishtinë, 23 prill - Organizata joqeveritare “ETEA” dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” shënojnë sot Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit.
Në kryeqytet sot vazhdojnë ngjarjet kulturore dedikuar librit dhe promovimit të rëndësisë së leximit.
Muaji prill filloi me një ngjarje kulturore dedikuar librit për fëmijë, derisa po shkon drejt fundit me një ngjarje kulturore dedikuar librit për të rritur.
Organizata joqeveritare “ETEA”, kësaj radhe së bashku me institucionin qëndror bibliotekar – Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë bërë bashkë për të organizuar manifestimin qëndror me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të të Drejtës se Autorit.
Ideja e përkujtimit të Ditës së Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil.
Me një rezolutë të UNESCO-s, më 15 nëntor 1995, 23 prilli është shpallur Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit – pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë historikisht instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e tyre, dhe se çdo nismë për promovimin e librave është një faktor i pasurimit kulturor.
Njëherësh 23 prilli shënon lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve, si Servantes, Sheksipiri, Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.
Ndër të tjera, kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.
Kësaj ngjarjeje kulturore me përmasa botërore, sikur edhe vite më parë, edhe këtë vit i bashkohet Kosova duke organizuar aktivitete në kryeqytetin e saj, Prishtinë.
E kur jemi te Kosova, kuptohet se mbizotron përceptimi i përgjithshëm se shprehia e leximit është në nivele të ulëta, sidomos te gjeneratat e reja. Të tilla përceptime vërtetohen edhe prej hulumtimeve që ka relizuar “ETEA”, gjatë vitit 2018.
Vlen të theksohet se, ditëve në vazhdim “ETEA” do të publikojë raporte të reja hulumtuese për lexueshmërinë të realizuara së fundmi me grupmoshat e reja.
Nga të dhënat e lartëcekura del se, promovimi i librit dhe rëndësisë së leximit në formësimin e personalitetit dhe ngritjen profesionale të individit – është domosdoshmëri për shoqërinë tonë.