Shënohen ditët e trashëgimisë evropiane
Prishtinë, 1 tetor - Kanë filluar dje aktivitete për shënimin e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane 2013. Hapja zyrtare është bërë në Hotel Emerald, ku edhe ka filluar konferenca ndërkombëtare Mbrojtja e trashëgimisë kulturore të luajtshme.
Aktivitetet po organizohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së bashku me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Kjo konferencë e para e këtij lloji sipas organizatorëve, vjen si kërkesë e kohës dhe synon avancimin e sistemit të mbrojtjes dhe promovimit efektiv të trashëgimisë kulturore të luajtshme, duke aplikuar praktikat, konventat dhe standardet ndërkombëtare.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, në hapjen e konferencës tha se thesari i rëndësishëm i Kosovës që gjendet në Serbi, duhet të rikthehet në truallin e vet. Sipas tij, autoritetet serbe duhet të gjejnë mënyra për ti sjell; këto artefakte aty ku edhe e kanë vendin.
Si për koincidencë, nesër do të nënshkruaj listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme edhe për një vit, dhe për herë të parë në këtë listë do të përfshijmë edhe kategoritë e trashëgimisë së luajtshme me 200 artefakte të cilat janë propozuar nga grupi punues.\"
\"Një thesar tepër i çmuar i trashëgimisë kulturore të Kosovës gjendet për vite me radhë në Serbi dhe autoritetet e atjeshme edhe pas 14 vitesh, nuk kanë treguar vullnetin për ti kthyer ato në vendin dhe shtëpinë e tyre, pra, në Muzeun e Kosovës, ka thënë ministri Krasniqi.
Ai po ashtu ka folur se MKRS-ja po punon që të krijojë një sistem të qëndrueshëm të mbrojtjes së trashëgimisë.
Një aspekt i rëndësishëm, tha ai, është edhe dokumentimi. Me këtë rast ai ka përgëzuar për punën që ekipi i MKRS-së dhe Muzeut të Kosovës ka bërë në nxjerrjen e katalogëve të trashëgimisë arkeologjike dhe asaj etnologjike.
Duke përmendur faktin se në vitet e fundit trashëgimia kulturore është trajtuar si një prioritet i veçantë, Ministri tha se tashmë është formuar grupi punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore.
Ai ka inkurajuar grupin që të punojë intensivisht dhe të merr modelet më të mira të menaxhimit të trashëgimisë, për ti bërë pjesë të strategjisë.
Këtë konferencë ai e vlerësoi si shumë të rëndësishme ku mund të shkëmbehen përvojat më të mira të punës rreth trashëgimisë kulturore.
Nga ana tjetër, Tim Cartwright, udhëheqës i zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, u shpreh para të pranishmëve se vendet ballkanike posedojnë një trashëgimi kulturore tejet tërheqëse. Ai tha se KE-ja ka një bashkëpunim shumë të mirë me MKRS-në.
Ashtu siç e tha Ministri Krasniqi, Ligji, tekstet rregulluese dhe udhëzuesit e ndryshëm, nuk janë ato të vetmet që mund të na dërgojnë atje ku duam ne, sidomos kur bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore të luajtshme. Është e rëndësishme që këtë trashëgimi ta kemi të regjistruar nëpër katalogë të ndryshëm, nëpër databaza, në mënyrë që të ruhet dhe të jetë e hapur për të gjitha agjencitë relevante, tha Cartwright.
Ndërsa, Gjejlane Hoxha, drejtoreshë e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), ka thënë se Kosova është një vend me pasuri kulturore, dhe ajo kërkon të mbrohet nga të gjithë akterët.
Ruajtja e trashëgimisë kulturore të luajtshme është çështje komplekse me përmasa shtetërore dhe ndërkombëtare. Përfshihen shumë rregulla, akterë, interesa dhe kërkesa, prandaj trajtimi i saj efikas është në varshmëri të zhvillimit të sistemit të mirëfilltë të mbrojtjes i cili pa dyshim se kërkon vëmendje maksimale politike e specialistike, tha ajo.
Po ashtu dje, në Muzeun e Kosovës, u prezantua projekti Arka Arkeologjike dhe Etnologjike e Kosovës përmes të cilit personat me nevoja të veçanta përmes shqisave të tyre do të kenë mundësinë të përjetojnë Muzeun. Zëvendësministri i Kulturës, Hajdin Abazi, ka thënë se kjo iniciativë është jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin kjo iniciativë po realizohet për herë të parë. Përmes këtij projekti trashëgimia e jonë kulturore po bëhet e mundur për të gjitha kategoritë e popullit tonë, tha zëvendësministri Abazi.
Gjithashtu, zëvendësministri priti në takim në MKRS, përfaqësuesen e Task Forcës për Kulturë dhe Shoqëri të Këshillit për Bashkëpunim Regjional të procesit të Lubljanës për trashëgimi kulturore, Ivana Nakikj, me të cilën diskutuan problemet dhe sfidat me të cilat përballet Kosova dhe rajoni në fushën e Trashëgimisë Kulturore.