SHBA, Shah Rukh Khan ndalohet nga policia
New York, 15 prill - India është inatosur me Shtetet e Bashkuara te Amerikes pasi ylli i Bollivudit, Shah Rukh Khan u ndalua për 90 minuta nga agjentët e policisë amerikane në aeroportin White Plains të New Yorkut.
Aktori mbërriti me një avion privat dhe ishte rrugës për në Yale University për një eveniment kur papritur u ndalua nga agjentët.
Oficerët e doganës dhe mbrojtjes së kufijve e mbajtën atë për ta kontrolluar dhe më pas e lanë të lirë, duke kërkuar edhe falje për incidentin. Por faljet duket se nuk e kanë qetësuar Nju Delhin zyrtar.
Politika e ndalimit dhe më pas e faljes nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk mund të vazhdojë, deklaroi ministri indian i Punëve të Jashtme, SM Krishna.
Falje kërkoi edhe zëdhënësi i ambasadës amerikane në Delhi, Peter Vrooman, për eksperiencën jo fort të këndshme që kishte kaluar aktori i njohur në mbarë botën.
Vetë aktori tha se u ndalua për motivin e vetëm se kishte emër mysliman, ndërkohë që autoritetet policore thanë se ai nuk ishte ndaluar por vetëm ishte marrë në pyetje.
Në vitin 2009 Shah Rukh Khan u ndalua për dy orë në aeroportin e Newark-ut dhe u lirua vetëm pas ndërhyrjes së ambasadës indiane në Shtetet e Bashkuara.