Shala priti përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar
Prishtinë, 5 shkurt - Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, priti sot, në një takim njohës, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, SamuelZhbogar.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin mes Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushën e kulturës, sportit dhe të rinisë.
Shala e falënderoi përfaqësuesin e BE-së për Kosovë dhe përmes tij BE-në për mbështetjen e vazhdueshme për ndërtimin e jetës demokratike në Kosovë e posaçërisht në fushat të cilat i mbulon MKRS-ja.
Zëvendëskryeministri e informoi përfaqësuesin e BE-së për hapat që i ka ndërmarrë në fillim të marrjes së detyrës, duke nisur procedurat për përmirësimin e infrastrukturës ligjore, si dhe për objektivat konkrete që ka për synim ti realizojë MKRS-ja.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Shala shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe BE-së, sidomos në projekte konkrete në kulturë, sport dhe politikat e rinisë.
Nga ana e tij, z. Zhbogar uroi zëvendëskryeministrin Shala për marrjen e detyrës së re. Ai i dëshiroi ministrit mbarëvajtje dhe realizim të planeve. Zhbogar theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen duke rikonfirmuar se mbështetja e BE-së në projekte konkrete do të vazhdojë edhe më tutje.