Shabani takohet me përfaqësues të Ambasadës së Australisë
Prishtinë, 1 mars - Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elfete Shabani, ka takuar zëvendës kryesuesin e misionit të Ambasadës së Australisë, David Lewis, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin e MKRS-së me Ambasadën.
Së bashku, kanë biseduar rreth diversitetit kulturor, promovimit të kulturës, ruajtjes së trashëgimisë, inkurajimit të rinisë në pjesëmarrje dhe përkrahjes së projekteve që mbulon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Zëvendësministrja Shabani, e ka informuar diplomatin Lewis për aktivitetet, veprimtarinë, prioritetet dhe planet që realizon Ministria, sidomos për punën e departamenteve të kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë.
Shabani, po ashtu e ka falënderuar Lewis për mbështetjen dhe përkrahjen që ka dhënë shteti i Australisë për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.
Nga ana e tij, zëvendës kryesuesi i misionit të Ambasadës së Australisë, David Lewis, e falënderoi zëvendësen për pritjen dhe informimin për punën që bën MKRS-ja.
Ai tha se Australia ka qenë njëra ndër shtetet e para që ka pranuar Pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimisht e ka përkrahur Kosovën në rrugëtimin e saj.
Po ashtu, Lewis rikonfirmoi mbështetjen e Ambasadës në projekte të ndryshme dhe se pret në thellimin e bashkëpunimit në fushat që mbulon MKRS-ja.