Sahatçiu nderohet për vepër jetësore, Zeqiri merr çmimin vjetor
Çmimi Vjetor për Kinematografi për vitin 2017 ju nda regjisores Blerta Zeqiri ndërsa Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” në fushën e kinematografisë ju nda regjisorit Besim Sahatçiut-post mortum.
Ministri Gashi pasi i uroi për çmimet, tha se “përkrahja e Ministrisë për artistët do të vazhdoj. Besoj se kemi pas një juri profesionale për tu ndarë çmimet dhe kemi ardhur deri te ky moment në këtë ceremoni për të ndarë këto dy çmime”.
Ai po ashtu tha: “Në emër timin si ministër dhe të Ministrisë, ju falënderoj për punën dhe kontributin e të ndjerit regjisorit Sahatçiut dhe regjisores Blerta Zeqirit. Ne jemi të përkushtuar që të motivojmë punën e artistëve dhe në këtë kontekst do të vazhdojmë të japim shpërblime e çmime. Jam tejet i lumtur që vendimmarrja e jurisë ka qenë e duhur dhe profesionale”.
Po ashtu ministri Gashi theksoi se “e kemi rritur buxhetin për 100 % dhe buxheti edhe në vitet tjera do të rritet edhe me nga 100 %”.
Sipas vendimit për ndarjen e Çmimit Vjetor për Kinematografi, regjisores Blerta Zeqiri i ndahet shpërblimi në vlerë monetare prej 2 mijë e pesëqind eurosh. Ndërsa, sipas vendimit për ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore për “Bekim Fehmiu”, regjisorit Besim Sahatçiu-post mortum i ndahet shpërblimi në vlerë monetare prej 5 mijë eurosh. Çmimet u shoqëruan edhe me nga një plaketë dhe nga një certifikatë të nënshkruara nga ministri.
Juria profesionale në përbërje të Ardiana Pajaziti, Isa Qosja, Fadil Hysaj, Fatos Berisha, dhe Kimete Berisha, ka dhënë arsyetimin në lidhje me ndarjen e këtyre çmimeve.
Sipas jurisë, regjisorja Blerta Zeqiri, me filmin “Martesa “ ka treguar sukses me pjesëmarrje në mbi njëzet festivale ndërkombëtare, ku është shpërblyer me çmime dhe mirënjohje të shumta, në mesin e të cilëve Çmimin Special të Jurisë “FIPRESCI” (Juria e Federatës Ndërkombëtare të Kritikës), në Festivalin e Kategorisë A “Black Nights Film Festival”, Talin/Estoni.
Pas marrjes së çmimit, regjisorja Blerta Zeiqiri tha “ky çmim është një vlerësim i punës. Është duke e bërë një punë e mirë nga MKRS-ja dhe QKK-ja në raport me filmin”.
Po ashtu sipas jurisë, veprimtaria kinematografike e regjisorit Besim Sahatçiut konsiderohet themeltare e regjisurës kinematografike të Kosovës, që e avancoi atë në kinematografi konkurruese në nivel rajonal. Nga veprimtaria e tij vlen të përmendet filmi “117” dhe seriali filmik televiziv dhe filmi “Era dhe Lisi”, që shënuan fillimin dhe konsolidimin e kinematografisë së Kosovës në vitet e ’70. Vitet ’70 dhe fillimi i viteve ’80 në artin e kinematografisë së Kosovës mund të konsiderohet periudha e regjisorit Besim Sahatçiu, i cili u bë frymëzim për brezin e ri të kineastëve të Kosovës.
Për regjisorin Sahatçiu, çmimin e mori bashkëshortja e tij Besa Sahatçiu. Me këtë rast ajo falënderoi ministrin për çmimin e dhënë. Ndër të tjera ajo tha ”Besimi dhe Bekimi kanë qenë miq. Kontributi i tij ka qenë frymëzim”.