30 Dhjetor 2024

RTK po hyn në një fazë vendimtare të konsolidimit

Prishtinë, 25 korrik - Gjashtë muaj pas konstituimit, Bordi i RTK-së konsideron se janë ndërmarrë veprime të rëndësishme për rikthimin e funksionimit ligjor dhe konsolidimit programor në transmetuesin publik të Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe gjashtë mujore janë korrigjuar shumë parregullsi ligjore, janë vënë kornizat e konsolidimit programor, është ndërprerë praktika e shpenzimeve pa kontroll e abuzimeve financiare dhe janë përmirësuar akte të brendshme për të garantuar funksionim ligjor dhe zhvillim të një programi profesional e të pavarur medial. Krahas këtyre, një risistemim kadrovik është zhvilluar brenda njësive të RTK-së të cilat kanë rezultuar në një angazhim të shtuar në punë dhe përmirësim evident programor. Procesi i konsolidimit do të vazhdojë, ndërkohë që Bordi konsideron se është momenti i duhur për të adresuar sfidat kryesore të RTK-së nga të cilat varet e ardhmja e Radiotelevizionit të Kosovës. 

Siç dihet, pas një procesi të hapur dhe transparent, Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 6 dhjetor 2022, zgjodhi 8 anëtarë të Bordit të RTK-së, ndërkohë që dy të tjerë nga komunitet, tashmë ishin të zgjedhur. Në një përbërje 10 anëtarësh, Bordi i RTK-së u konstituua me 16.12.2021. Konstituimi ndodhi në fund të vitit, në kohën kur duhej të adresoheshin me urgjencë një mori çështjesh të ndjeshme financiare (projeksioni buxhetor 2022 dhe skema programore), raportuese, si dhe ligjore, ngase ishte përfundimi i kontratave të rreth 240 të angazhuarve me kontrata për shërbime, që në mënyrë të kundërligjshme ishin vazhduar ndër vite. 

Pavarësisht këtyre, në një plan pune të qartë, Bordi u angazhua për të funksionalizuar Komitetin e Auditimit të Brendshëm, për herë të parë sipas kërkesave ligjore që dalin nga Ligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike. Ky organ tre anëtarësh, e ku dy janë anëtarë të pavarur të jashtëm të zgjedhur përmes konkursit publik, do të monitorojë dhe do të mbikëqyrë punën e Auditimit të Brendshëm, me qëllim që operimet e RTK-së të jenë në harmoni me ligjin si dhe gjetjet që dalin nga raportet e auditimeve të adresohen. Po kështu, Bordi ka themeluar edhe Komisionin për Skemën Programore, si dhe ka funksionalizuar Grupin Këshillues të Publikut, përmes një procesi të hapur publik, nga i cili janë rekrutuar katër anëtarë. Për herë të parë në RTK, është emëruar edhe Zyrtari Kryesor Financiar, pozicion i cili kërkohet sipas kornizës ligjore. 

Bordi aktual qysh në mbledhjen e parë ka vendosur që të ketë transparencë të plotë lidhur me të gjitha aktivitetet që zhvillohen në Bord, gjë e cila kishte munguar në të kaluarën.

Me të marrë detyrën, Bordi i RTK-së ka filluar skanimin e situatës, përmes takimeve dhe diskutimeve me anëtarët e menaxhmentit. Si rrjedhojë e këtij skanimi, janë evidentuar shkelje të shumta ligjore në dimensione të ndryshme si dhe keqmenaxhim, që rëndonin mbi drejtuesit e RTK-së. Andaj, për Bordin ishte e pamundur të synonte konsolidimin funksional, ligjor e financiar me përgjegjësit e gjendjes së krijuar. Andaj, në mënyrë unanime Bordi ka liruar nga detyra përgjegjësit kryesor për t’i hapur rrugë fillimit të ristrukturimit dhe kthimit të ligjshmërisë në RTK. 

Pas konsultimeve të shumta dhe në harmoni me rregullativën e brendshme ligjore të RTK-së, Bordi emëroi si u.d.-Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, z. Shkumbin Ahmetxhekaj, përderisa vazhdoi me adresimin e gjetjeve të tjera brenda RTK-së. Për të garantuar një proces të qartë ligjor, Bordi ka kërkuar përpilimin e rregullores së brendshme për rekrutimin e Menaxhmentit të Lartë të RTK-së. Më pas, në një proces të hapur dhe të monitoruar në tërësi nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, sindikatat, qytetarë dhe media, Bordi i RTK-së ka përzgjedhur për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së me mandat 3 vjeçar, z. Shkumbin Ahmetxhekaj. Tani është në proces rekrutimi i anëtarëve të tjerë të menaxhmentit të lartë.

Pas shumë vitesh operimi me humbje, RTK për herë të parë ka përfunduar dy tremujorë raportues, TM1 (tremujori i parë) dhe TM2 (tremujori i dytë) 2022, pa hyrë në borxhe të reja. E kundërta ka ndodhur, pra si rezultat i shpenzimit të buxhetit në mënyrë racionale, RTK ka përfunduar në një bilanc pozitiv. Një gjë e tillë (për TM1) është vlerësuar edhe nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës, në takimin e 13 prillit të vitit 2022, ku Bordi ka prezantuar raportin e parë për këtë vit, që pas marrjes së detyrës më 16 dhjetor 2021, dhe e njëjta është raportuar edhe për TM2 në raportimin e mbajtur me datë 20 korrik 2022. Kjo dëshmon instalimin e një praktike të re në RTK në planin e llogaridhënie dhe transparencës, si dhe një logjike të re të udhëheqjes dhe mbikëqyrjes së menaxhimit të RTK-së. 

Një sfidë e madhe dhe shqetësuese për Bordin mbetet fakti që në RTK nuk është investuar për shumë vite. Kushtet dhe mjetet e punës me të cilat operojnë të punësuarit në RTK janë përgjithësisht mjeruese. Duke marrë parasysh se RTK-së këtë vit i janë ndarë vetëm 8,96 milionë euro nga buxheti i shtetit, shumë kjo e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat emergjente bazike që ka transmetuesi publik, e bën të domosdoshëm një intervenim të shpejtë financiar. Kjo për faktin se ndër vite shpenzimet e RTK-së janë rritur dukshëm. Në fillim të këtij viti, buxheti i shpenzuar vetëm për paga ka qenë mbi 90%, ndërsa tani është rreth 80%. Participimi i lartë i shpenzimeve për paga në buxhetin total të RTK-së vazhdon të jetë brengë kryesore financiare për Bordin e RTK-së. Kjo ka ndodhur kryesisht për arsye të punësimeve të panevojshme, të ndikuara politikisht dhe të paanalizuara, në të shumtën e rasteve me qëllimin e vetëm të punësimit, ndonëse pa nevojë institucionale për rekrutim.

Për shkak të keqmenaxhimit të faktuar dhe evidentuar për vitet paraprake, i cili paraqitet edhe së fundi në dy raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, RTK po përballet me përmbaruesit privatë të cilët kërcënojnë me bllokim të llogarive për të inkasuar borxhet e trashëguara. Vlera aktuale e borxheve të trashëguara është 1.6 milionë euro, e për të cilat Bordi i RTK-së është duke punuar në një analizë dhe propozim të shlyerjes së tyre. 

Punëtorët vazhdojnë të punojnë në kushte pune të pafavorshme, me pajisje teknologjike të stërvjetëruara, gjë që paraqet sfidë të përditshme në kryerjen e detyrave ditore. Për më tepër, të gjitha njësitë e prodhimit të RTK-së janë të stërvjetëruara. Ka shumë pajisje teknologjike që janë blerë ose marrë si donacion para 20 viteve dhe nuk janë ndërruar asnjëherë. Mungesa e investimeve, e mban RTK-në larg përditësimit teknik e teknologjik, e si rrjedhojë kjo ndikon edhe në imazhin e përgjithshëm si medium publik dhe ofrimin e shërbimeve programore cilësore. Po ashtu, kanali në gjuhën serbe, RTK2, ende nuk transmetohet në formatin HD, për shkak të mungesës së mjeteve për të investuar në pajisjet adekuate. 

RTK ka pranuar në të kaluarën fonde shtesë mbi 2 milionë euro nga buxheti publik, mirëpo ato fonde asnjëherë nuk janë alokuar për investime relevante kapitale. Fatkeqësisht të njëjtat janë dedikuar në pagesa të shpenzimeve enorme operative ose në shlyerje të borxheve, të cilat shpesh janë gjeneruar në forma të dyshimta, përmes problemeve në procedurat e prokurimit, apo procedura tjera me palë të jashtme. Për këto dhe për shumë shkelje të tjera, sipas vlerësimit të Bordit, janë informuar organet kompetente të drejtësisë, të cilat janë duke u marrë me këto çështje. 

Në situatën aktuale, RTK ka nevojë për fonde shtesë, me çka do të sigurohej që transmetuesi publik t’i përmbushë  obligimet që dalin nga Ligji për RTK-në, i cili përcakton funksionimin e tij, duke ofruar mbulim të ngjarjeve më të rëndësishme politike, shkencore-profesionale, edukative, kulturore, argëtuese dhe sportive. Sipas Ligjit për RTK-në, së paku 15% e skemës programore të RTK-së duhet të plotësohet me produksione të jashtme, ku producentët e jashtëm duhet të ofrojnë programet e tyre të gatshme për transmetim, pa mbështetje të produksionit të RTK-së. Këto produksione të jashtme që synohen të kontraktohen, kanë të bëjnë me pjesën argëtuese të programit. Pjesa tjetër e programit do të prodhohet nga stafi i RTK-së. Për këto dhe për investime tjera kapitale, Bordi i RTK-së së bashku me menaxhmentin kanë përgatitur një analizë dhe kërkesë për fonde shtesë, që do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim. Në kërkesë janë përfshirë nevojat që janë të domosdoshme të pajisjeve për punën e përditshme.

Përtej zgjidhjes së problemeve imediate, me të cilat Bordi i RTK-së është i angazhuar, dy çështje që kërkojnë adresim të shpejtë nga RTK dhe nga Kuvendi i Kosovës, janë çështja e pronës dhe ajo e financimit të qëndrueshëm të RTK-së përmes parapagimit. Çështja e mungesës së hapësirës për punë dhe pronës do të adresohet në një raport të veçantë, të cilin Bordi do ta dorëzojë shumë shpejt tek themeluesi, Kuvendi i Republikës së Kosovës. E njëjta do të ndodhë edhe me propozimin për një model të qëndrueshëm financimi, i cili është i nevojshëm jo vetëm për mirëfunksionimin e RTK-së, por edhe si parakusht për pavarësi editoriale. RTK është e publikut, dhe si e tillë do të zhvillohet dhe do të jetë pikë referuese për informimin e drejtë dhe korrekt të qytetarëve të cilëve u takon. 

Duke e njohur faktin e keqmenaxhimit historik të buxhetit të RTK-së, Bordi aktual i RTK-së është i përkushtuar që t’i përgjigjet secilës kërkesë të ligjshme për të ofruar transparencë lidhur me shpenzimin e buxhetit dhe veprimeve të Bordit. Kësisoj, më poshtë listohen vetëm disa nga iniciativat, vendimet apo veprimet e Bordit në bashkëpunim me menaxhmentin që nga emërimi në dhjetor 2021 deri sot, në rreth 40 mbledhjet e mbajtura që nga konstituimi: 

Bordi i RTK-së dhe menaxhmenti është pajtuar me të gjitha gjetjet e ZKA-së për raportin e përformancës 2019-2021 dhe për raportin e pasqyrave financiare të vitit 2021. Të gjitha rekomandimet dhe gjetjet e ZKA-së do të adresohen përmes planeve të veprimit, të cilat tashmë janë ndarë me ZKA-në dhe me Komisionet relevante në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt është angazhuar edhe Komiteti i Auditimit të Brendshëm. 

Në RTK tashmë ka filluar kthimi i ligjshmërisë, duke ndryshuar mënyra dhe logjika e punës, nga një logjikë e keqpërdorimit, në një logjikë të shpenzimeve racionale, monitorim dhe menaxhim efikas financiar, si dhe përpjekje për të kursyer. Si rezultat, për këtë vit janë kursyer rreth 790 mijë euro, kryesisht nga kthimi i ligjshmërisë dhe nga racionalizimi në punësime, duke mos vazhduar kontratat e paligjshme për shërbime, të cilat janë përdorur për angazhim të stafit esencial për pozita që janë të rregullta në RTK. Këto mjete janë përdorur për ndërtimin e skenografive të reja si dhe në përmirësimin e sinjalit të Radio Kosovës, përderisa programi është realizuar nga stafi i angazhuar me kontrata të rregullta. 

Janë larguar nga pozitat udhëheqëse shumica nga përgjegjësit për krizën financiare, programore, përmbajtjesore e strukturore të RTK-së, proces i cili vazhdon ende në kontekstin e analizimit të ligjshmërisë për çdo vendim i cili ka mundur të merret në mospajtueshmëri me ligjin. Për këtë, disa raste janë deponuar si dëshmi në Prokurori, pra për raste të dyshimta korruptive e keqpërdorimi, përderisa është vendosur standard të ri në mbikëqyrje, menaxhim dhe raportim. 

Ka nisur procesi i sistemimit në punë, duke risistemuar 200 punonjës të rregullt nga stafi i brendshëm në pozita në të cilat ka produktivitet dhe rezultat. Këto pozicione kanë qenë të mbuluara më kontrata të paligjshme për shërbime, ndonëse të njëjtat janë keqpërdorur duke i bërë të angazhuarit të kryejnë detyra esenciale të pozitave që janë prioritare në RTK, me orar të rregullt pune dhe pa beneficione dhe detyrime që rrjedhin nga Ligji i Punës. 

Janë ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar punësimet nepotike. Për këtë, është hartuar përveç tjerash edhe një rregullore për parandalimin e konfliktit të interesit në RTK. 

Janë zhvilluar procese transparente rekrutimi për staf esencial për RTK1, RTK2, Radio Kosovë dhe portalin rtklive.com. 

Janë marrë dhjetëra vendime të tjera për të ngritur disiplinën dhe produktivitetin. Si rezultat, menaxhmenti ka shkëputur kontratat për të paktën tetë punëtorë, të cilët nuk kanë realizuar vijueshmëri në punë. 

Janë vendosur bazat për sqarimin e përgjegjësive të departamenteve brenda RTK-së, veçmas Marketingut dhe Financave, të cilat historikisht kanë pasur probleme në komunikim dhe përplasje përsa i përket çështjeve të ndjeshme financiare me ndikim substancial në menaxhim të fondeve të RTK-së. 

Është formuar task forca për t’i definuar borxhet e RTK-së dhe ndaj RTK-së. 

Është funksionalizuar Zyrtari Kryesor Financiar, Komiteti i Auditimit dhe Grupi Këshillues i Publikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

Është reformuar njësia e mediave online, duke kontribuar kështu në cilësinë e lajmeve dhe raportimit në uebfaqe dhe në faqet e RTK-së në rrjetet sociale. Pasi që në muajt e fundit ka filluar respektimi i politikave të Facebook, sidomos lidhur respektimin e të drejtave autoriale, RTK tani do të mund ta realizojë monetizimin nga Facebook. 

Pas nëntë vitesh mosfunksionimi, RTK ka rifilluar publikimin e lajmeve në gjuhët e komuniteteve të tjera në portalin rtklive.com. Kjo çështje ishte potencuar edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian Kosovën. 

Është krijuar njësia për Fact Checking të lajmeve si dhe një projekt i veçantë për dokumentimin e krimeve të luftës si dhe historinë e luftës së fundit në Kosovë. 

Është lansuar skema e pasur programore, pavarësisht faktit se RTK pas 31 marsit të këtij viti ka rreth 200 persona më pak të angazhuar (të cilët ishin me kontrata për shërbime) se sa kishte në dhjetor 2021. 

Me vendim të Bordit është ndaluar blerja e produkteve me karakter informativ nga produksionet e jashtme. RTK ka shpenzuar miliona euro ndër vite për këto produkte.

Me vendim të Bordit është ndaluar blerja e lajmeve nga agjencitë vendore të lajmeve. 

Shërbimet komunale në Radio Kosovë do të faturohen tashmë vetëm për pjesën që shfrytëzohet nga punëtorët e RTK-së, e jo siç ka qenë deri më tash që RTK ka paguar edhe për entitetet tjera që kanë operuar në hapësirat përreth. 

Janë transmetuar ndeshjet e futbollit të Kombëtares së Kosovës dhe Shqipërisë në muajin mars 2022, përkundër faktit që RTK nuk ka arritur me kohë që të sigurojë buxhet për blerjen e të drejtave të transmetimit të ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, proces i cili është dashur të ndodhë në nëntorin e vitit 2021. 

Si asnjëherë më parë, në RTK barazia gjinore është në nivelin më të lartë. Nga 14 pozitat e larta menaxhuese, përfaqësimi është 50:50, kurse në dhjetor 2021 ishte 12:2 në favor të burrave.

Është vendosur që në të gjitha emisionet me të ftuar në studiot e RTK-së, të respektohet barazia gjinore dhe përfaqësimi i komuniteteve, kështu që RTK do të bëjë maksimumin që të ftuarit të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në të gjitha aspektet sociale, përderisa të njejtit mysafirë që prezantojnë opinionet profesionale të tyre, nuk do të paguhen. 

Gjatë muajit qershor të këtij viti, RTK-ja ka hapur zyrën rajonale në Prizren, e më vonë gjatë këtij viti pritet të hapë edhe zyrën rajonale në Mitrovicë. Hapja e këtyre zyrave është donacion i përfituar nga Agjencia Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, por qiraja dhe pajiset shtesë janë në përgjegjësi të RTK-së. 

RTK gjatë kësaj periudhe është vizituar nga palë të ndryshme, si Përfaqësuesja e EBU-së, Ambasadori Britanik, Ambasadori i BE-së në Kosovë, KPM, Jica, etj. 

Pra, pavarësisht se RTK është gjetur në një gjendje jashtëzakonisht të keqe, tashmë institucioni është në rrugë të mbarë për ta përmirësuar situatën. Tani RTK ka hyrë në një proces të pakthyeshëm të rikthimit te publiku. Shumë shpejt, RTK do të hyjë në një reformë të thellë, ku do të bëhet një riorganizim i plotë i transmetuesit publik, e për këtë Bordi dhe menaxhmenti do të sigurohen për të marrë edhe përvojat e transmetuesve të tjerë që me sukses e kanë tejkaluar këtë fazë. 

Bordi i RTK-së mbetet transparent, në mënyrë që puna dhe veprimet e tij të jenë tërësisht të njohura për publikun, duke qenë të hapur për monitorim nga secila palë e interesuar nga jashtë dhe brenda RTK-së. Në proceset e punës së këtij Bordi në këtë kontekst, janë dhënë vlerësime të larta nga akterë të ndryshëm, siç janë organizata të ndryshme të shoqërisë civile, zyra e BE-së dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, OSBE, ekspertë të fushës së medieve dhe individë të tjerë, të cilët e kanë monitoruar punën e Bordit, Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Shtyp dhe Media, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin  Europian, Jica, Ambasada e Britanisë së Madhe, etj. Prandaj, është fundamentale që kjo punë e hapur, produktive dhe transparente të vazhdojë, deri në vendosjen e RTK-së në piedestalin që e meriton. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)