RrGK publikon raportin 'Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen'
Prishtinë, 21 shtator - Përmes platformës Zoom, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) publikojnë raportin analitik “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”, të shkruar nga David JJ Ryan në emër të RrGK-së.
Pas prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore, një panel ekspertësh do të diskutojnë mbi mundësinë e zbatimit të rekomandimeve në Kosovë, veçanërisht në lidhje me rishikimet e vazhdueshme të Ligjit të Punës.
Ky raport pasqyron shkallën në të cilën Kosova ka harmonizuar kornizën ligjore me Direktivën e Bashkimit Evropian (BE) për Balancin Punë-Jetë, e cila ka hyrë në fuqi më 1 gusht 2019.
Kjo direktivë ka implikime të rëndësishme për Kosovën, drejt aftësimit të prindërve, gra dhe burra, për të kaluar kohë me fëmijët e tyre, si dhe për t'u kujdesur për anëtarët e tjerë të familjes (p.sh., personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe të sëmurët).
Harmonizimi i duhur i kësaj direktive me ligjet e Kosovës gjatë procesit të anëtarësimit në BE mund të kontribuojë dukshëm në përmirësimin e pjesëmarrjes së ulët të grave në fuqinë punëtore në Kosovë, duke ditur se vetëm dy në dhjetë gra aktualisht janë të punësuara.
Po ashtu, kjo do të ofrojë mundësi edhe për baballarët që të kenë rol më të madh në jetën e fëmijëve dhe të dashurve të tyre, e gjithë kjo drejt transformimit të roleve dhe marrëdhënieve tradicionale gjinore për një shoqëri më të barabartë.
Ky raport është shkruar si pjesë e strategjisë më të gjerë të RrGK-së për të fuqizuar gratë ekonomikisht, veçanërisht përmes nismës "Më shumë zgjedhje: Politika familjare me përgjigje gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi", financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.