RrGK hap ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”
Malishevë, 6 maj - Sot të Sahat Kulla në Malishevë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizon hapjen e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”.
Kjo ekspozitë ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje.
Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshehen brenda mureve të shtëpisë.
Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë “Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”.
Vetëm gjatë vitit 2021 kemi pasur 2489 raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës.
Gjithashtu që nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë 48 gra të vrara nga burrat. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kjo ekspozitë të organizohet dhe të njoftohen qytetarët për përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj tyre.
Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women #EVAW dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).