Rooftop Sonata ka filluar xhirimet në Holandë
Prishtinë, 19 tetor - Filmi i metrazhit të gjatë Rooftop Sonata me skenar dhe regji nga Edon Rizvanolli dhe producent Meriton Ahmeti, Annemiek van Gorp dhe René Goossens ka filluar xhirimet në Amsterdam të Holandës.
Xhirimet e këtij filmi do të vazhdojnë edhe në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë dhe rolet kryesore janë Adriana Matoshi (Zana) dhe Jason de Ridder (Albani).
Ky film është i zhanrit dramë sociale dhe tregon për jetën e Albanit, një djaloshi 18 vjeçar, i lindur dhe rritur në Amsterdam, i cili jeton së bashku me nënën e tij Zanën, e cila është nga Kosova.
Albani, është një i ri i cili shpesh përfundon në konflikte fizike, gjë e cila i shkakton kokëqarje të mëdha Zanës. Për ta futur Albanin në udhë të mbarë, Zana i aranzhon atij një punë tek një rregullues i biçikletave.
Tek kjo punëtori Albani njoftohet dhe dashurohet në Anën, babai i së cilës qëllon të jetë serb nga Kosova.
Si Zana po ashtu edhe babai i Anës janë kundër kësaj lidhjeje dhe ndërrmarin çdo hap të mundshëm që ti ndajnë ata, por nuk ja arrijnë qëllimit.
Mirëpo çdo gjë përmbyset për Albanin në momentin kur e kaluara e errët e Zanës dhe babait të Anës dalin në sipërfaqe.
Filmi në mënyrë të tërthortë shtjellon vështirësitë e jetesës për gjeneraten e parë të emigrantëve në perëndim. Gjithashtu edhe pasojat e dhunimit të grave gjatë luftës, si dhe çasjen ndaj këtyre dhunimeve nga ana e shoqërisë kosovare.
Rooftop Sonata është bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Holandës i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Filmi do të jetë i gatshëm për shfaqje në pranverë të vitit 2016.