Rita Ora: Unë jam Kosovë
Londër, 12 korrik - Këngëtarja me famë botërore Rita Ora, e cila është me origjinë shqiptare, ka deklaruar për mediet britanike se, ndihet krenare që është nga Kosova. Menjëherë pasi mori çmimin si Ambasadore Nderi e Kosovës, Ora iu është përgjigjur disa pyetjeve për kanalin televiziv britanik Channel 4, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Angli.
E pyetur se çfarë do të thotë të jesh kosovare, Rita është përgjigjur: Unë jam Kosovë. Është në gjakun tim, është ajo që unë ndjej nën lëkurën time. Është ajo që më ka krijuar mua si femër, është ajo çka unë kam prezantuar në këto 24 vjet në botën muzikore.
Këngëtarja Ora ka rrëfyer se gjuhën shqipe e kupton shumë mirë, sepse në familjen e saj është folur përherë, por ajo nuk mund ta flasë atë rrjedhshëm. Madje në një moment gjatë intervistës i kërkohet të thotë fjalën Faleminderit në gjuhën shqipe dhe ajo përgjigjet pa hezitim, duke e shqiptuar atë qartë.
Më tej, Rita ka rrëfyer edhe për të kaluarën, duke treguar se ka qenë një familje refugjate, që ka kaluar shumë sakrifica në jetë.
Kemi qenë një familje refugjatësh. Babit tim i erdhi thirrja për të marrë pjesë në ushtri, por nuk dëshironte të shkonte dhe vendosi që të shpëtonte fëmijët e tij, duke qëndruar afër nesh. Ishte një vendim që prindërit e mi e zgjodhën për ne, për fëmijët e tyre. Ju e dini që prindërit bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre dhe unë iu jam mirënjohëse, u shpreh ajo.