Rita Ora shkëlqen në Las Vegas
Las Vegas, 31 korrik - Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, është duke punuar me shumë efikasitet për të rritur imazhin e saj në të gjithë botën.
Pasi përfundoi së fundmi në kopertinën e Complex Magazine dhe ASOS, 21-vjeçarja debutoi në Las Vegas, si e ftuar nderi në një prej kazinove më të njohura të qytetit të mëkateve dhe në klubin e natës Lavo.
E veshur me një fustan të bardhë dhe një xhaketë motoristësh, edhe një herë më shumë Rita tregoi se përse format e saj janë aq të lakmuara, ndërsa u shpreh entuziaste për mbërritjen e saj në SHBA, duke ndarë kënaqësinë e saj me një status në Twitter, për 883 mijë ndjekësit që ka.
Ndërkohë, stili i këndimit të Ritës, mbiemri i vërtetë i së cilës është Sahatçiu, duket si një kthim i ëmbël në kohë në hip-hopin e viteve 1990, çka e ka bërë më të lehtë tërheqjen e shumë fansave.
Këngëtarja, e lindur në Prishtinë në vitin 1990, u transferua në Britaninë e Madhe në moshë të vogël. Kënga e saj më e famshme, Hot Right Now, mbajti për disa javë vendin e parë në klasifikimin e muzikës britanike.