Rita Ora, në përkrahje të filmit Shok
Londër, 18 janar - Suksesit të jashtëzakonshëm të arritur deri më tani të filmit kosovaro-britanik me metrazh të shkurtër, Shok, i cili arriti të siguronte edhe një nominim për çmimet Oscar, i është bashkëngjitur edhe këngëtarja britanike me origjinë kosovare, Rita Ora.
Duke përdorur faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook, Rita Ora ka bërë thirrje që ndjekësit e saj të përkrahin sa më shumë filmin kosovar Shok, të nominuar tashmë në kategorinë Best Live Action Short Film për në natën magjike të Academy Awards.
Ju lutem përkraheni dhe ripostojeni: Filmi me metrazh të shkurtër Shok!!, ka shkruar këngëtarja britanike.
Nominimi i filmit Shok është një sukses i jashtëzakonshëm për kinematografinë kosovare, por jo vetëm, edhe për atë mbarëshqiptare.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, organizatorët e këtij filmi kërkuan më shumë mbështetje nga institucionet shtetërore për lobimin më tej në favor të këtij filmi me metrazh të shkurtër, deri në natën e ndarjes së çmimeve. E duket se reagimi i parë ka ardhur nga një artiste si Rita Ora..