Rinia, sektor qenësor për zhvillimin e vendit
Prishtinë, 17 mars - Takim i konkretizimit dhe operacionalizimit të programeve u konsiderua takimi me donatorë për sektorin e Rinisë në Kosovës, i cili u organizua sot nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), me mbështetje edhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).
Në këtë takim, në të cilin do të koordinohen dhe konkretizohen bashkëpunimi dhe programet mes MKRS-së dhe partnerëve, morën pjesë Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ambasadori i OSBE-së, Jean Claude Schlumberger, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, zëvendëskryesuesi i Zyrës Zvicerane për bashkëpunim, Christoph Lang, përfaqësues të ambasadave, si dhe të organizatave ndërkombëtare që kontribuojnë në fushën e rinisë.
Zëvendëskryeministri Kujtim Shala vlerësoi se takimi, përpos shprehjes së vullnetit të mirë të donatorëve që bashkërisht me ta të kontribuojmë për sektorin e rinisë, do të shërbejë për konkretizimin dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta për promovimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje dhe se Qeveria e Kosovës, e në veçanti MKRS-ja, është e interesuar që ky sektor jetik i vendit të arrijë synimet e tij.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shumë e interesuar për bashkëpunim të shtuar me partnerët që kanë ndihmuar në këtë sektor. Në kuadër të kësaj, vlerësojmë ndihmën e partnerëve si janë OSBE-ja, Bankën Botërore dhe UNICEF-i. Po ashtu, nga qershori, falë GIZ-it gjerman, do të fillojmë një pilot-projekt për promovimin e punësimit të të rinjve, tha ministri Shala.
Po ashtu, ministri, i informoi partnerët donatorë dhe të pranishmit se MKRS-ja është në fazën e rishikimit dhe plotësim-ndryshimit të dokumenteve strategjike për rininë, në mënyrë që bashkërisht dhe me palët e përfshira me qëllim të konkretizimit dhe operacionalizimit të programeve.
Ne kemi formuar grupet punuese për rishikimin e Strategjisë për Rininë, Planin e ri tre vjeçar të Veprimit, si dhe grupet punuese për plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Edukimin Joformal e Udhëzimin Administrativ për Vullnetarizmin, tha ndër të tjera ministri.
Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së për Kosovën, Jean Claude Schlumberger, vlerësoi se ky takim përbën një forum të rëndësishëm për rininë në Kosovë për faktin se ky sektor përbën përqindjen më të madhe demografike të Kosovës dhe llogaritet prej faktorëve të ndryshimit në Kosovë.
Rinia është në fokus të shumë organizatave ndërkombëtare që punojnë këtu në Kosovë dhe kjo është arsyeja se për se ndodhemi sot këtu për ti koordinuar përpjekjet tona për të nxjerrë rezultatet maksimale, tha ambasadori Schlumberger.
Ai nënvizoi se MKRS-ja ka qenë një partner i vlefshëm në punën e OSBE-së për të promovuar fuqizimin e rinisë në Kosovë.
Ndërsa, shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, tha se puna me rininë është qenësore për një prosperitet të qëndrueshëm dhe se Kosova ka bërë arritje në këtë drejtim porse mbeten sfida që të përmbushen.
Organizatat përfaqësuese të OKB-së në Kosovë kanë bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore në fushën e rinisë dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kurse përfaqësuesi i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Christof Lang, përmendi faktin se diaspora e dytë më e madhe në Zvicër është ajo shqiptare dhe se ajo përbën një element të rëndësishëm edhe për Zvicrën por nëse shfrytëzohet edhe për Kosovën.
Ai gjithashtu theksoi se rinia është një detyrim por edhe pasuri e Kosovës me të cilën duhet të punohet që ajo vërtet të jetë një prej aseteve të rëndësishme të vendit.