28 Dhjetor 2024

Rihapet galeria e skulptorit tonë të njohur Agim Çavdarbasha

Prishtinë, 15 maj - Pas nëntë vjetësh, galeria e skulptorit të njohur Agim Çavdarbasha është restauruar.

Ceremonia e rihapjes u zhvillua sonte ku të pranishëm ishin shumë artistë dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Renovimi i galerisë ka nisur në vitin 2011 nga një investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prej rreth 100 mijë euro.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha se ndjehet mjaft i lumtur që gjithë hapësira ku ka punuar skulptori ynë Çavdarbasha, një pjesë nga krijimtaria e tij, po kthehet në gjendjen që ishin dikur, para djegies në vitin 2004.

 “Ka qenë një prej detyrave që ia kam dhënë vetës si ministër që këtë galeri ta kthejmë si ishte dikur dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur që ia kemi dalë mbanë, dhe dua të falënderoj me këtë rast Fondacionin Agim Çavdarbasha për bashkëpunimin shumë të afërt që i ka dhënë MKRS-së duke menaxhuar para se gjithash shumë kujdesshëm punët në restaurim”, ka thënë ai, teksa ka vlerësuar se tashmë skena kulturore e Kosovës, po pasurohet edhe më shumë me këtë galeri.  

Ministri shtoi se mbi të gjitha miqtë dhe dashamirët e artit do të mund të shohin veprat e skulptorit Agim Çavdarbasha, por më me rëndësi, tha ai, kjo galeri do të jetë një hapësirë ku gjeneratat e reja do të mund të mësojnë shumë për artin tonë, për krijimtarinë e skulptorit të njohur.

Ai ka thënë se MKRS po punon që edhe galeri të tjera të artistëve tanë të njohur, piktorë e skulptorë të marrin një pamje të merituar dhe që qytetarët tanë, por edhe miqtë nga jashtë të shohin vlerat e mirëfillta tonat.

Ministri ka deklaruar se në dy vjetet e fundit Kosova ka pasuruar shumë kalendarin kulturor ne vend dhe ka promovuar si asnjëherë skenën e vet kulturore në evenimentet më të rëndësishme të kulturës në botë.

“Shembull i kësaj është pikërisht ky takim i yni këtu dhe pas një ore në Galerinë Kombetare të Kosovës hapet një ekspozitë, ndërsa në Teatrin Kombetare të Kosovës jepet premiera e re, nesër në Galerinë e Ministrisë hapet po ashtu një ekspozitë, sot ndërkaq Qendra Kinematografike e Kosovës nis prezantimin e radhës në Festivalin e Filmit në Cannes, e disa ditë më pas, më 28 Maj Kosova për herë të dytë në Bienalen e Venecias, e për herë të parë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, do ta ketë pavijonin e vet.\"

\"Gjatë vitit na presin edhe shumë ngjarje të rëndësishme si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, e të cilat na bëjnë që ne vërtetë çdo ditë e më shumë të çmojmë dhe promovojmë vlerat tona të mirëfillta”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Sebahate Çavdarbasha, gruaja e skulptorit Agim Çavdarbasha ka thënë se një ëndërr e tyre për disa vjet u be realitet dhe ka falënderuar Ministrin Krasniqi për kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë deri në realizimin e plotë të restaurimeve. Cavdarbasha ka thënë se galeria do të jetë e hapur për artistët dhe artdashësit.

Një nga miqtë e skulptorit Agim Çavdarbasha, poeti Eqrem Basha ka folur për krijimtarinë dhe personalitetin e skulptorit me nam, duke e vlerësuar atë si një rrëfim të veçantë të kulturës në Kosovë.

Basha tha se me restaurimin e galerisë, institucionet dhe shoqëria po tregojnë kujdesinë ndaj krijuesve që më shumë pasion kanë punuar dhe kanë lënë pas vetës thesar të çmuar kulturor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)