Rihannën e përzënë nga xhamia
Abu Dhabi, 21 tetor - Rihannës iu kërkua që të largohej nga ambientet përreth xhamisë më të madhe të Abu Dhabit, pas disa pozave të papërshtatshme dhe të paautorizuara që realizoi përpara objektit të kultit.
Ndonëse 25-vjeçarja vendosi një perçe gjatë një shfaqje në Emirate dhe vizitoi pjesërisht e mbuluar xhaminë, kjo nuk mjaftoi për të shmangur përzënien e saj nga stafi i xhamisë \"Sheikh Zayed\", në gjendje për të pritur njëkohësisht deri 40 mijë besimtarë.
Pavarësisht se iu kërkua që të largohej, Rihanna arriti të shkrepte disa foto të cilat i publikoi gjatë së hënës në rrjetin e saj në \"Instagram\".
Ishte një koncert në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe për këtë arsye Rihanna vendosi të mbulohej gjatë performancës së saj, ndryshe nga herët e tjera kur paraqitet para publikut thuajse e zhveshur.
Këngëtarja nga Barbados ishte veshur me të bardha nga koka tek këmbët duke respektuar kodin e veshjes në Abu Dabi.
Gjithsesi, 25-vjeçarja nuk hoqi dorë nga lëvizjet e saj provokuese pa e vrarë mendjen për kulturën e vendit arab.