"Revolucioni i Modës" lanson fushatën globale të UNDP-së "Mos zgjidh zhdukjen"
Prishtinë, 29 tetor - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, së bashku me Ambasadën e Finlandës dhe Ambasadën e Suedisë, në partneritet me Institutin Suedez shënuan fillimin e fushatës globale për klimën të titulluar "Mos zgjidh zhdukjen" me një ngjarje të Revolucionit të Modës. që u zhvillua mbrëmjen e djeshme.
Qëllimi i ngjarjes ishte të shfaqte nevojën për uljen e presionit që ne bëjmë mbi mjedisin dhe të rriste ndërgjegjësimin për rëndësinë e veprimit klimatik, ekonomisë së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Në ngjarje u bë hapja e ekspozitës “Revolucioni i modës – e ardhmja e tekstileve”, e përgatitur nga Instituti Suedez.
Kjo kspozitë, e cila do të zgjasë një javë, fokusohet në sfidat dhe mundësitë e industrisë së modës dhe synon të eksplorojë se si i prodhojmë, përdorim dhe perceptojmë veshjet, duke theksuar teknologjitë e reja dhe zgjidhjet inovative për zvogëlimin e ndikimit në klimë dhe për ta bërë modën pjesë të zgjidhjes.
Revolucioni i Modës është i pari në serinë e ngjarjeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë një fushate njëvjeçare "Mos zgjidh zhdukjen" dhe, me këtë rast u shfaq videoja e fushatës (lidhjet e bashkangjitura në fund të komunikatës).
Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, në fjalën e saj hyrëse theksoi: “Ne e dimë se Kosova mbështetet shumë në lëndët djegëse fosile për prodhimin e energjisë – dhe kalimi në energji të pastër nuk do të ndodhë brenda natës. Tranzicioni i gjelbër do të kërkojë angazhim dhe burime afatgjatë."
"Më e rëndësishmja, duhet të jetë prioritet i qartë. Dhe kjo është tema e fushatës globale të UNDP-së "Mos zgjidh zhdukjen". Dinosaurusi Frankie na kujton që prioritetet duhet të ndryshojnë nëse duam që njerëzimi dhe toka të mbijetojnë.”
Sh.T. Albin Kurti, kryeministër i Kosovës i cili ishte i pranishëm në këtë ngjarje theksoi rëndësinë që ka secili individ në këtë fushë: “Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë rritje të shpejtë ekonomike e mbi të gjitha të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. E këtu është e rëndësishme zhvillimi i ekonomisë qarkore, përmes së cilës lëvizim gradualisht drejt një modeli ekonomik, ku produktet dhe materialet qëndrojnë në përdorim më gjatë - dhe ripërdoren ose riciklohen.”
Në fjalën e saj, Sh.S. Karin Hernmarck, ambasadorja e Suedisë në Kosovë komentoi anën e modës që nuk e vëzhgojmë gjithmonë: “Moda mund të jetë një formë emocionale për shprehje personale, si e kalojmë kohën e lirë dhe shumë argëtuese."
"Por industria e modës ka një anë të shëmtuar ku, si prodhimi ashtu edhe konsumi kanë një ndikim të madh në klimë dhe mjedis. Kjo ekspozitë dëshiron të fillojë diskutimin në Kosovë se si ta bëjmë modën pjesë të zgjidhjes së sfidave që hasim.”
SH.S. Pia Stjernvall, ambasadorja e Finlandës në Kosovë dha një shembull frymëzues të një kompanie finlandeze e cila përdor teknologji inovative për t'i kthyer tekstilet e përdorura, pulpat apo edhe gazetat e vjetra në fibra të reja tekstili në mënyrë të qëndrueshme dhe pa kimikate të dëmshme përmes një procesi që shndërron celulozën në fibra të cilat nga ana tjetër mund të bëhen pëlhura jetëgjatë.
Kjo ngjarje ishte gjithashtu pjesë e fushatës së vazhdueshme të Ekipit të OKB-së në Kosovë për Veprim Klimatik – me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për klimën para takimit global mbi mjedisin në Glasgow, COP26, dhe u bashkëorganizua me ambasadat e Suedisë dhe Finlandës, me kontribute nga dizajnerë, prodhues, ekspertë dhe fashionistë ku morën pjesë ministra, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, stilistë dhe influencues.
Pandemia globale ka tronditur botën, por gjithashtu ofron një mundësi unike për të ri-krijuar të ardhmen.
Kjo është arsyeja pse, në vend që të kthehemi në "të bëjmë punët si zakonisht", UNDP po u kërkon njerëzve në mbarë botën që të shfrytëzojnë këtë moment për të siguruar një tranzicion të drejtë dhe të gjelbër, për të investuar në njerëz dhe planet dhe për të siguruar që ne, së bashku, të përmbushim Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).
Fushata dhe filmi "Mos zgjidh zhdukjen" synojnë të hedhin në qendër të vëmendjes subvencionet e karburanteve fosile dhe mënyrën se si ato po anulojnë përparimin e rëndësishëm drejt ndalimit të ndryshimeve klimatike, si dhe të rrisin ndërgjegjësimin se sa kritike është situata dhe t'i bëjë thirrje botës që të të përshpejtojmë veprimet klimatike nëse duam të kemi sukses në mbajtjen e planetit tonë të sigurt për brezat e ardhshëm.”